Truri i fëmijëve ndërtohet që në fillim: Pse vitet e para të jetës janë vendimtare
Zhvillimi i trurit të fëmijëve është një proces i jashtëzakonshëm dhe i ndjeshëm, që ndodh moment pas momenti ndërsa ata ndërveprojnë me mjedisin përreth. Gjatë viteve të para të jetës, formohen mbi një milion lidhje nervore çdo sekondë – një ritëm mahnitës që nuk përsëritet më kurrë në jetën e njeriut. Pikërisht për këtë arsye, cilësia e përvojave të hershme ka ndikim të drejtpërdrejtë dhe të qëndrueshëm në zhvillimin e trurit dhe mirëqenien e përgjithshme të fëmijës.
Një themel për jetën
Vitet e para përfaqësojnë një dritare kritike mundësie për të ndërtuar themelin e të nxënit, shëndetit fizik dhe mendor, sjelljes dhe suksesit në jetë. Në këtë periudhë, çdo përvojë pozitive – qoftë kujdesi i dashur, ushqimi i shëndetshëm, loja, biseda apo këndimi – ushqen trurin në zhvillim dhe forcon trupin që rritet. Fëmijët kanë nevojë për një ambient të sigurt, mbrojtës dhe stimulues, ku të ndihen të dashur, të dëgjuar dhe të mbështetur.
Por për të arritur potencialin e tyre të plotë, fëmijët kanë nevojë për shumë më tepër sesa dashuri. Ata kanë nevojë për:
Një mundësi që shumë e humbasin
Fatkeqësisht, për miliona fëmijë në mbarë botën – përfshirë ata që jetojnë në varfëri, në zona konflikti, në lëvizje, që i përkasin komuniteteve të margjinalizuara apo që kanë aftësi të kufizuara – kjo dritare zhvillimi shpesh mbyllet para kohe.
Shumë prej tyre nuk marrin ushqimin apo shërbimet shëndetësore që u duhen. Janë të ekspozuar ndaj ndotjes, dhunës dhe stresit të vazhdueshëm. Humbasin mundësitë për të mësuar dhe nuk marrin stimujt që trurit të tyre i nevojiten për t’u zhvilluar në mënyrë optimale. Prindërit të mbingarkuar nga stresi i përditshëm, shpesh nuk kanë kohë, burime apo ndihmë të mjaftueshme për të ofruar kujdesin e nevojshëm.
Kostoja e mundësive të humbura
Kur një fëmijë humb këtë mundësi jetike për zhvillim, pasojat janë të rënda dhe afatgjata. Disa nuk mbijetojnë, të tjerët rriten me probleme shëndetësore dhe zhvillimore. Më vonë, përballen me vështirësi në arsim dhe në jetën profesionale, duke e pasur më të vështirë të thyejnë ciklin e varfërisë. Dhe kjo nuk është vetëm humbje personale – është humbje për të gjithë shoqërinë. Dështimi për të investuar në fillimin e jetës së fëmijëve e mban të gjallë pabarazinë dhe dobëson strukturat sociale dhe ekonomike të së ardhmes.
Një thirrje për veprim
Ekzistojnë argumente të forta biologjike, psikosociale dhe ekonomike për të ndërhyrë sa më herët që të jetë e mundur – madje edhe para konceptimit – për të promovuar dhe mbështetur zhvillimin e fëmijëve. Kujdesi cilësor në familje, shërbimet për fëmijët dhe institucionet parashkollore janë themeli. Por për një ndikim të qëndrueshëm, ky kujdes duhet të pasohet nga arsim cilësor dhe mbështetje e vazhdueshme gjatë adoleshencës, duke respektuar ndërvarësinë mes fazave të jetës.
Nëse duam të ndërtojmë një të ardhme të qëndrueshme, të barabartë dhe të shëndetshme, duhet të fillojmë nga fillimi: duke u siguruar që çdo fëmijë, kudo që ndodhet, të ketë fillimin më të mirë të mundshëm në jetë.
*Ju informojmë se sesionet këshillëdhënëse për tema të ndryshme, duke filluar nga zhvillimi i fëmijëve, ushqyerja e shëndetshme, prindërimi pozitiv, lidhja dhe komunikimi me prindër, siguria në shtëpi, ofrohen falas nga personeli i trajnuar, në kuadër të programit “Kujdesi në Grup për Prindërim”. Ky program implementohet në kuadër të dhomave për edukim dhe promovim shëndetësor në të gjitha QKMF-të e komunave të Kosovës.
Ky artikull është hartuar duke u bazuar në materiale të marra nga:
http://The Lancet: Early Childhood Development Executive Summary
https://www.unicef.org/early-childhood-development
Category: Fëmijeria e Hershme