Kafeina është një substancë që gjendet në produkte si kafe, çaj, pije gazuese, çokollatë dhe disa pije energjike dhe medikamente. Ajo është një stimulant, që do të thotë se mund t’ju mbajë zgjuar.

Si ndikon kafeina tek ju dhe foshnja juaj gjatë shtatzënisë? 

Kafeina rrit paksa presionin tuaj të gjakut dhe ritmin e zemrës dhe sasinë e urinës që trupi juaj prodhon. Ajo mund të shkaktojë ndjesi ankthi, probleme me tretjen ose vështirësi në gjumë. Gjatë shtatzënisë, mund të jeni më të ndjeshëm ndaj kafeinës, pasi mund t’ju duhet më shumë kohë për ta larguar atë nga trupi juaj krahasuar me periudhën kur nuk jeni shtatzënë. Kafeina gjithashtu mund t’ju shkaktojë edhe ndjesi si të përziera ose marramendje

Kur konsumoni kafeinë gjatë shtatzënisë, ajo kalon përmes placentës tek foshnja juaj (placenta rritet në mitrën tuaj dhe furnizon foshnjën me ushqim dhe oksigjen përmes kordonit umbilical).

Mund të keni dëgjuar se shumë kafeinë mund të shkaktojë abort (kur një foshnjë vdes në mitër para javës së 20-të të shtatzënisë), lindje para kohe (kur lindja ndodh para se shtatzënia të arrijë në 37 javë) ose peshë të ulët të lindjes (kur foshnja lind me peshë më të vogël se 2.500 gr). Disa studime thonë se kjo është e vërtetë, ndërsa të tjera jo.

Derisa të vërtetohet apo të hulumtohet më shumë se si kafeina mund të ndikojë në shtatzëni, është më mirë ta kufizoni sasinë që konsumoni në 200 miligramë në ditë. Kjo sasi është sa një filxhan i madh kafeje. Sigurohuni të kontrolloni madhësinë e filxhanit tuaj për të ditur sa kafeinë po merrni.

Cilët ushqime dhe pije përmbajnë kafeinë?

Kafeina gjendet në:

  • Kafenë dhe produktet me shije kafeje
  • Çaj
  • Disa pije freskuese
  • Pijet energjike
  • Çokollatën dhe produktet me çokollatë, si shurupi i çokollatës dhe kakaoja e ngrohtë
  • Disa ilaçe apo medikamente

Sasia e kafeinës në ushqime dhe pije ndryshon shumë. Për kafenë dhe çajin, kjo varet nga:

  • Marka
  • Mënyra e përgatitjes
  • Lloji i kokrrave të kafesë ose gjetheve të çajit të përdorura
  • Mënyra e shërbimit (p.sh., espresso ose latte)
  • Madhësia e filxhanit. Filxhanët e kafesë nuk kanë gjithmonë të njëjtën madhësi, edhe pse mund t’i konsideroni si standard. Kontrolloni sa mililitra apo gram përmban filxhani juaj, sidomos kur blini kafe ose çaj. Nëse i përgatisni vetë në shtëpi, matni madhësinë e filxhanit për saktësi.

Disa pije energjike përmbajnë sasi të mëdha kafeine. Për shembull, një pije energjike mund të përmbajë deri në 500 miligramë kafeinë. Këto pije shpesh përmbajnë shumë sheqer dhe përbërës që mund të jenë të dëmshëm gjatë shtatzënisë. Për shkak se nuk dihet mjaftueshëm për efektet e këtyre përbërësve, është më mirë të shmangen gjatë shtatzënisë.

Sasia e kafeinës që merrni gjatë ditës mund të shtohet pa e kuptuar. Nëse pini një filxhan kafe në mëngjes, mund të jetë e nevojshme të kufizoni ose të shmangni ushqime dhe pije të tjera me kafeinë gjatë ditës.

Më poshtë është një listë me sasitë mesatare të kafeinës në disa ushqime dhe pije të zakonshme. Këto vlera mund të ndryshojnë sipas markës dhe mënyrës së përgatitjes. Për të ditur saktësisht sa kafeinë përmban një produkt, kontrolloni etiketën e paketimit.

Ushqim/PijeSasia mesatare e kafeines ne miligram (mg)
Kafe e zier135 mg (përafërsisht 80-200 mg)
Kafe instant (e tretshme)75 mg
Kafe Decaf2-15 mg
Kafe akullore ose kos i ngrirë me kafe2 mg
Çaj i zier45 mg (përafërsisht 15-60 mg)
Çaj instant (i tretshëm)26-36 mg
Lëngje (p.sh Coca Cola) në sasi të vogla35 mg (përafërsisht 30-45 mg)
Qumësht i çokolladës5-8 mg
Çokolladë e zezë30mg
Çokolladë e bardhë11 mg

Cilët medikamente përmbajnë kafeinë?

Disa medikamente që përdoren për lehtësimin e dhimbjeve, migrenës, ftohjeve dhe për të ndihmuar në mbajtjen e vigjilencës përmbajnë kafeinë. Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) kërkon që etiketat e barnave të tregojnë sasinë e kafeinës që përmbajnë.

Nëse jeni shtatzënë, këshillohuni me mjekun tuaj përpara se të merrni ndonjë medikament që përmban kafeinë. Kjo vlen si për barnat me recetë, ashtu edhe për ato që shiten pa recetë. Receta është një urdhër për një medikament të dhënë nga një profesionist i kujdesit shëndetësor. 

Disa produkte bimore përmbajnë kafeinë, siç janë guarana, yerba mate, arra kola dhe ekstrakti i çajit jeshil. Produktet bimore prodhohen nga bimët, të cilat përdoren si në gatim, ashtu edhe në mjekësi. FDA nuk kërkon që produktet bimore të tregojnë sasinë e kafeinës që përmbajnë. Nëse jeni shtatzënë, shmangni përdorimin e produkteve bimore, pasi nuk dihet me saktësi sa kafeinë përmbajnë.

A është kafeina e sigurt gjatë ushqyerjes me gji?

Akademia Amerikane e Pediatrisë (AAP) thotë se është e sigurt për nënat që ushqejnë me gji të konsumojnë kafeinë. Megjithatë, një sasi e vogël e kafeinës kalon në qumështin e gjirit, prandaj këshillohet kufizimi i saj. Foshnjat e ushqyera me gji nga nënat që pinë më shumë se 2 deri në 3 filxhanë kafe në ditë mund të bëhen të shqetësuara ose të kenë vështirësi në gjumë. Andaj propozohet që të kontrollohet konsumimi i kafeinës gjatë kësaj periudhe.

Nëse foshnja juaj ka lindur para kohe ose është e porsalindur, mund të jetë më mirë të kufizoni edhe më shumë kafeinën, pasi organizmi i saj e përpunon më ngadalë.

Përditësimi i fundit: Prill 2020

Burimi: MarchofDimes

Category: Shtatzënia