Në nder të Ditës Botërore të Shëndetit Mendor (10 Tetor), Action for Mothers and Children (AMC) i bashkohet thirrjes globale për ta njohur shëndetin mendor si një të drejtë universale të njeriut dhe për të theksuar mirëqenien emocionale të prindërve të rinj. Të bëhesh prind është një përvojë e bukur, por edhe sfiduese. Ndryshimet hormonale, mungesa e gjumit, shqetësimet për foshnjën dhe shumë faktorë të tjerë mund të rrisin ankthin gjatë këtij tranzicioni të madh jetësor.
Pasi entuziazmi i urimeve zbehet, shumë prindër mund të gjenden duke u përballur me vështirësi në heshtje. Shumë nëna përjetojnë ndjenja të trishtimit pas lindjes apo depresion pas lindjes, ndërsa edhe baballarët mund të përballen me ankth dhe depresion. Por prindërit nuk kanë pse të përballen vetëm me këto ndryshime. Programet Vizitat në Shtëpi dhe Kujdesi në Grup për Prindërim mund të ndihmojnë në lehtësimin e stresit duke ofruar edukim, këshillim dhe mbështetje. Këto programe udhëhiqen nga Ministria e Shëndetësisë dhe zbatohen nga profesionistët e kujdesit parësor shëndetësor, me mbështetjen e Action for Mothers and Children (AMC) dhe (UNICEF) përmes fondeve nga Qeveria e Luksemburgut. Për të mësuar më shumë rreth këtyre programeve, ju lutemi kontaktoni Qendrën tuaj Kryesore të Mjekësisë Familjare. Fëmijët rriten më mirë në shtëpi të mbushura me dashuri, kujdes dhe stabilitet. Prandaj, mbështetja e shëndetit mendor të prindërve është thelbësore për zhvillimin e shëndetshëm të fëmijëve.
Për të siguruar një fillim të shëndetshëm dhe të fortë në jetë, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ofron disa rekomandime kyçe për mbështetjen e zhvillimit të fëmijëve në vitet e para të jetës. Këto udhëzime synojnë të ndihmojnë prindërit, kujdestarët dhe profesionistët të krijojnë një mjedis sa më të favorshëm për rritjen dhe zhvillimin e fëmijëve.
1. Kujdes i ndjeshëm dhe i përgjegjshëm
Të gjithë foshnjat dhe fëmijët duhet të marrin kujdes të ndjeshëm dhe të përgjegjshëm gjatë tre viteve të para të jetës. Prindërit dhe kujdestarët duhet të mbështeten për të ndërtuar marrëdhënie të ngrohta, të qëndrueshme dhe të dashura, që i ndihmojnë fëmijët të ndihen të sigurt dhe të zhvillohen në mënyrë të shëndetshme.
2. Nxitja e të mësuarit të hershëm
Fëmijët kanë nevojë për stimulim mendor që nga lindja. OBSH rekomandon që prindërit dhe kujdestarët të përfshihen në mënyrë aktive në aktivitete të të mësuarit të hershëm – si biseda, këndim, lojë dhe lexime – së bashku me fëmijët gjatë tre viteve të para. Këto përvoja janë thelbësore për zhvillimin kognitiv, gjuhësor dhe emocional.
3. Integrimi i kujdesit me ushqyerjen
Zhvillimi i trurit dhe shëndeti fizik janë të lidhura ngushtë me ushqyerjen. Ndaj, mbështetja për kujdesin e ndjeshëm dhe të mësuarit të hershëm duhet të përfshihet në çdo program apo ndërhyrje që ka në fokus ushqyerjen e foshnjave dhe fëmijëve të vegjël.
4. Mbështetja e shëndetit mendor të nënës
Shëndeti mendor i nënës ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien dhe zhvillimin e fëmijës. OBSH rekomandon që shërbimet për zhvillimin në fëmijërinë e hershme të përfshijnë edhe mbështetje psikosociale për nënat, në mënyrë që ato të ndihen të fuqizuara dhe të përgatitura për të ofruar kujdes të dashur dhe të qëndrueshëm.
*Ju informojmë se sesionet këshillëdhënëse për tema të ndryshme, duke filluar nga zhvillimi i fëmijëve, ushqyerja e shëndetshme, prindërimi pozitiv, lidhja dhe komunikimi me prindër, siguria në shtëpi, ofrohen falas nga personeli shëndetësor i trajnuar, në kuadër të programit “Kujdesi në Grup për Prindërim”. Ky program implementohet në kuadër të dhomave për edukim dhe promovim shëndetësor në të gjitha QKMF-të e komunave të Kosovës
Materialet e përdorura për këtë artikull janë marrë nga ky burim informacioni:
Testet prenatale janë analiza mjekësore që bëhen gjatë shtatzënisë. Ato ndihmojnë ofruesin e kujdesit shëndetësor të vlerësojë gjendjen tuaj shëndetësore dhe të frytit. Disa prej këtyre testeve bëhen në mënyrë të rregullt gjatë kontrolleve prenatale për të siguruar që shtatzënia po ecën normalisht dhe që nëna dhe foshnja janë të shëndetshme. Ndërkaq, teste të tjera bëhen në periudha të caktuara të shtatzënisë për të kontrolluar nëse foshnja ka ndonjë problem shëndetësor, përfshirë: Anomali të lindura (defekte të lindjes): Këto janë gjendje shëndetësore të pranishme që nga lindja, të cilat mund të ndikojnë në formën, funksionin apo zhvillimin e pjesëve të trupit dhe mund të shkaktojnë probleme në shëndetin e përgjithshëm. Sëmundje gjenetike dhe kromozomale: Shkaktohen nga ndryshime në gjene ose kromozome. Ndër sëmundjet gjenetike përfshihen fibroza cistike, anemia drepanocitare dhe disa defekte të zemrës, ndërsa një gjendje e zakonshme kromozomale është sindroma Down. Këto gjendje mund të trashëgohen ose të ndodhin në mënyrë spontane. Nëse në familjen tuaj ka histori të ndonjë gjendje të caktuar shëndetësore, mund të jetë e dobishme të konsultoheni me mjekun tuaj apo një mjek/këshilltar gjenetik. Kështu do të kuptoni më mirë rreziqet dhe ndikimin që mund të kenë këto gjendje në shëndetin tuaj dhe të frytit.
Çfarë janë testet depistuese dhe testet diagnostike? Testet depistuese (skriningu): Këto tregojnë nëse ka një mundësi më të madhe që fryti të ketë ndonjë gjendje shëndetësore, por nuk ofrojnë një diagnozë të saktë. Këto teste nuk paraqesin rrezik as për nënën dhe as për frytin. Testet diagnostike: Konfirmojnë nëse foshnja ka vërtet një gjendje të caktuar shëndetësore. Nëse rezultatet e skriningut tregojnë rrezik të lartë, ofruesi i kujdesit shëndetësor mund të rekomandojë një test diagnostik. Disa prej këtyre testeve mund të kenë rreziqe, përfshirë edhe rrezikun e abortit spontan (humbje e frytit para javës së 20- të). Rezultatet e testeve depistuese mund t’ju ndihmojnë të vendosni nëse dëshironi të bëni një test diagnostik. Nëse e bëni, do të keni më shumë informacion për gjendjen e frytit dhe mund të planifikoni kujdesin e nevojshëm pas lindjes, përfshirë edhe lindjen në një institucion shëndetësor që ofron kujdes të specializuar.
Cilat janë testet prenatale që bëhen gjatë gjithë shtatzënisë? Këto teste zakonisht përsëriten në çdo vizitë prenatale: Matja e tensionit të gjakut: Për të kontrolluar nëse keni preeklampsi – një gjendje që mund të ndodhë pas javës së 20-të të shtatzënisë dhe që shoqërohet me rritje të rrezikshme të tensionit të gjakut. Analiza e urinës: Për të kontrolluar për infeksione urinare apo shenja të tjera, siç është prania e proteinave, që mund të tregojë për preeklampsi. Analiza e gjakut: Përdoret për të kontrolluar për infeksione të ndryshme (si sifilizi, hepatiti B dhe HIV), për të përcaktuar grupin e gjakut dhe faktorin Rh, si dhe për të identifikuar aneminë – një gjendje kur në gjak nuk ka mjaft qeliza të kuqe të shëndetshme për të transportuar oksigjenin në trup. Nëse nëna është Rh-negative dhe foshnja Rh-pozitive, mund të ndodhë sëmundja hemolitike, e cila mund të parandalohet me trajtim gjatë shtatzënisë. Gjithashtu, në çdo kontroll, do të matet pesha juaj për t’u siguruar që jeni duke fituar peshën e nevojshme për një shtatzëni të shëndetshme. Cilat teste prenatale bëhen në tremujorin e parë? Në tremujorin e parë të shtatzënisë (muaji 1, 2 dhe 3), mund të bëhen disa teste. Mjeku apo ofruesi juaj i kujdesit shëndetësor do t’ju këshillojë se cilat teste janë më të përshtatshme për ju: Skriningu për bartës të sëmundjeve gjenetike: Kjo analizë e gjakut apo pështymës kontrollon nëse jeni bartëse e ndonjë gjendjeje gjenetike që mund të ndikojë te foshnja. Nëse jeni bartëse, kjo do të thotë që nuk e keni sëmundjen vetë, por mund ta transmetoni te fëmija. Nëse edhe partneri juaj është bartës i të njëjtës gjendje, rreziku që fëmija të ketë sëmundjen është më i lartë. Ky test mund të bëhet para apo gjatë javëve të para të shtatzënisë. Testimi i ADN-së fetale pa ndërhyrje (Cell-free fetal DNA): Ky test analizues i gjakut kontrollon ADN-në e foshnjës për të identifikuar gjendje gjenetike si sindroma Down. Bëhet pas javës së 9-të të shtatzënisë, dhe rekomandohet nëse ekziston rreziku për defekte të lindjes. Nëse rezultati është pozitiv, mund të rekomandohet një test diagnostik për konfirmim, siç është amniocenteza. Mostra e vileve korionike (CVS): Është një test diagnostik që analizon inde nga placenta për të zbuluar sëmundje gjenetike. Bëhet në javët 10 deri 13. Rekomandohet zakonisht
për gratë mbi moshën 35 vjeçare ose në raste me histori familjare të sëmundjeve gjenetike. Eko e hershme (ultrazëri i tremujorit të parë): Përdoret për të konfirmuar shtatzëninë, për të përcaktuar kohëzgjatjen e saj (javët e shtatzënisë) dhe për të identifikuar ndonjë anomali të hershme. Skriningu i tremujorit të parë: Përfshin analizë gjaku dhe eko për të vlerësuar rrezikun për disa defekte të lindjes si sindroma Down dhe defekte në zemër. Bëhet zakonisht nga java e 11-të deri në të 13-tën të shtatzënisë.
Cilat teste bëhen në tremujorin e dytë? Në muajt 4, 5 dhe 6 të shtatzënisë, mund të rekomandohen këto teste: Skriningu i gjakut të nënës (Quad screen): Kjo analizë gjaku vlerëson rrezikun për disa defekte të lindjes. Testi mat katër substanca në gjak: AFP, estriol, hCG dhe inhibinë A. Bëhet nga java e 15-të deri në të 22-tën. Ultrazëri (eko morfologjike): Bëhet midis javëve 18 dhe 22 për të vlerësuar rritjen dhe zhvillimin e foshnjës dhe për të zbuluar anomalitë strukturore. Amniocenteza: Një mostër e lëngut amniotik merret për të kontrolluar nëse foshnja ka ndonjë defekt të lindjes ose sëmundje gjenetike. Bëhet zakonisht në javët 15 deri 20 dhe rekomandohet në raste të veçanta si moshë mbi 35 vjeç ose histori familjare me sëmundje gjenetike. Skriningu i glukozës: Kontrollon nëse jeni në rrezik për diabet gestacional – një formë diabeti që mund të shfaqet gjatë shtatzënisë. Bëhet nga java e 24-të deri në të 28-tën.
Cilat teste bëhen në tremujorin e tretë? Në muajt 7, 8 dhe 9, zakonisht bëhet testimi për: Streptokoku i grupit B (GBS): Është një infeksion që mund t’i transmetohet frytit gjatë lindjes. Analiza bëhet duke marrë mostra nga qafa e mitrës (cerviksi), zakonisht në javët 35 deri 37 të shtatzënisë.
Truri i fëmijëve ndërtohet që në fillim: Pse vitet e para të jetës janë vendimtare
Zhvillimi i trurit të fëmijëve është një proces i jashtëzakonshëm dhe i ndjeshëm, që ndodh moment pas momenti ndërsa ata ndërveprojnë me mjedisin përreth. Gjatë viteve të para të jetës, formohen mbi një milion lidhje nervore çdo sekondë – një ritëm mahnitës që nuk përsëritet më kurrë në jetën e njeriut. Pikërisht për këtë arsye, cilësia e përvojave të hershme ka ndikim të drejtpërdrejtë dhe të qëndrueshëm në zhvillimin e trurit dhe mirëqenien e përgjithshme të fëmijës.
Një themel për jetën
Vitet e para përfaqësojnë një dritare kritike mundësie për të ndërtuar themelin e të nxënit, shëndetit fizik dhe mendor, sjelljes dhe suksesit në jetë. Në këtë periudhë, çdo përvojë pozitive – qoftë kujdesi i dashur, ushqimi i shëndetshëm, loja, biseda apo këndimi – ushqen trurin në zhvillim dhe forcon trupin që rritet. Fëmijët kanë nevojë për një ambient të sigurt, mbrojtës dhe stimulues, ku të ndihen të dashur, të dëgjuar dhe të mbështetur.
Por për të arritur potencialin e tyre të plotë, fëmijët kanë nevojë për shumë më tepër sesa dashuri. Ata kanë nevojë për:
Kujdes shëndetësor dhe ushqim të duhur;
Mbrojtje nga dhuna dhe stresi;
Arsimim dhe mundësi për të mësuar herët;
Kujdes të përgjegjshëm nga prindërit apo kujdestarët.
Një mundësi që shumë e humbasin
Fatkeqësisht, për miliona fëmijë në mbarë botën – përfshirë ata që jetojnë në varfëri, në zona konflikti, në lëvizje, që i përkasin komuniteteve të margjinalizuara apo që kanë aftësi të kufizuara – kjo dritare zhvillimi shpesh mbyllet para kohe.
Shumë prej tyre nuk marrin ushqimin apo shërbimet shëndetësore që u duhen. Janë të ekspozuar ndaj ndotjes, dhunës dhe stresit të vazhdueshëm. Humbasin mundësitë për të mësuar dhe nuk marrin stimujt që trurit të tyre i nevojiten për t’u zhvilluar në mënyrë optimale. Prindërit të mbingarkuar nga stresi i përditshëm, shpesh nuk kanë kohë, burime apo ndihmë të mjaftueshme për të ofruar kujdesin e nevojshëm.
Kostoja e mundësive të humbura
Kur një fëmijë humb këtë mundësi jetike për zhvillim, pasojat janë të rënda dhe afatgjata. Disa nuk mbijetojnë, të tjerët rriten me probleme shëndetësore dhe zhvillimore. Më vonë, përballen me vështirësi në arsim dhe në jetën profesionale, duke e pasur më të vështirë të thyejnë ciklin e varfërisë. Dhe kjo nuk është vetëm humbje personale – është humbje për të gjithë shoqërinë. Dështimi për të investuar në fillimin e jetës së fëmijëve e mban të gjallë pabarazinë dhe dobëson strukturat sociale dhe ekonomike të së ardhmes.
Një thirrje për veprim
Ekzistojnë argumente të forta biologjike, psikosociale dhe ekonomike për të ndërhyrë sa më herët që të jetë e mundur – madje edhe para konceptimit – për të promovuar dhe mbështetur zhvillimin e fëmijëve. Kujdesi cilësor në familje, shërbimet për fëmijët dhe institucionet parashkollore janë themeli. Por për një ndikim të qëndrueshëm, ky kujdes duhet të pasohet nga arsim cilësor dhe mbështetje e vazhdueshme gjatë adoleshencës, duke respektuar ndërvarësinë mes fazave të jetës.
Nëse duam të ndërtojmë një të ardhme të qëndrueshme, të barabartë dhe të shëndetshme, duhet të fillojmë nga fillimi: duke u siguruar që çdo fëmijë, kudo që ndodhet, të ketë fillimin më të mirë të mundshëm në jetë.
*Ju informojmë se sesionet këshillëdhënëse për tema të ndryshme, duke filluar nga zhvillimi i fëmijëve, ushqyerja e shëndetshme, prindërimi pozitiv, lidhja dhe komunikimi me prindër, siguria në shtëpi, ofrohen falas nga personeli i trajnuar, në kuadër të programit “Kujdesi në Grup për Prindërim”. Ky program implementohet në kuadër të dhomave për edukim dhe promovim shëndetësor në të gjitha QKMF-të e komunave të Kosovës.
Ky artikull është hartuar duke u bazuar në materiale të marra nga:
Shëndeti yt ndikohet jo vetëm nga zgjedhjet personale, por edhe nga vendi ku jeton dhe qasja që ke ndaj shërbimeve cilësore shëndetësore. Gjatë shtatzënisë kjo mund të duket e vështirë, por mos u shqetëso – jemi këtu për të të ndihmuar që të kujdesesh për veten dhe për foshnjën tënde. Më poshtë do të gjesh disa këshilla të rëndësishme. Kushtoju vëmendje shqetësimeve gjatë shtatzënisë Mbaj shënim ndryshimet – Hormonet e shtatzënisë, stresi dhe pesha shtesë mund të shkaktojnë ndryshime në trupin tënd. Këto janë normale, por është mirë t’i shkruash dhe t’i diskutosh me mjekun në vizitat e planifikuara gjatë shtatzënisë. Dëgjo trupin tënd – Lodhja dhe të përzierat janë shqetësime të zakonshme, por nëse ndikojnë në jetën tënde të përditshme, njofto mjekun. Simptoma të rënda, si dhimbjet e forta të kokës që nuk kalojnë ose vështirësitë në frymëmarrje, nuk duhen injoruar. Shpreh shqetësimet e tua – Shumë gra humbin jetën gjatë ose pas shtatzënisë për shkak të problemeve shëndetësore që mund të parandaloheshin. Nëse ndien se diçka nuk shkon, flit hapur. Ti e njeh trupin tënd më mirë se kushdo.
Kupto faktorët e rrezikut për ndërlikime gjatë shtatzënisë Shëndeti i zemrës – Nëse ke një sëmundje të zemrës, bisedo me mjekun për të kuptuar rreziqet. Ka barna që janë të sigurta për ty dhe për fetusin gjatë shtatzënisë. Sëmundjet kronike – Edhe nëse ke një gjendje shëndetësore të vazhdueshme, mund të kesh një shtatzëni të shëndetshme. Vazhdo t’i takosh të gjithë mjekët që kujdesen për ty – ata janë pjesë e rëndësishme e ekipit që të ndihmon. Shëndeti mendor – Depresioni gjatë ose pas shtatzënisë është shumë i zakonshëm. Nëse nuk trajtohet, mund të çojë në lindje të parakohshme dhe vështirësi të tjera. Njofto mjekun nëse ke kaluar më parë depresion ose mendon se mund të jesh në depresion tani. Trajtimi i hershëm të ndihmon të ndihesh më mirë dhe të përgatitesh për kujdesin ndaj foshnjës.
Krijo zakone të shëndetshme Lëviz sa më shumë – Gratë shtatzëna që janë të shëndetshme duhet të bëjnë të paktën 2 orë e gjysmë aktivitet aerobik në javë (si ecje ose not). Aktiviteti fizik ndihmon në uljen e rrezikut për ndërlikime dhe lehtëson shqetësime si dhimbjet e shpinës.
Ushqehu shëndetshëm – Ushqimi i mirë ndihmon trupin tënd gjatë shtatzënisë. Nëse ke kufizime ushqimore për ndonjë arsye të caktuar, atëherë bisedo me mjekun për të siguruar që ti dhe fetusi të merrni të gjithë lëndët ushqyese të nevojshme. Përgatitu për periudhën pas lindjes – Nëse gjatë shtatzënisë ke probleme si diabetin gestacional ose preeklampsinë, ke më shumë gjasa të përballesh me probleme shëndetësore më vonë. Mbaj zakone të shëndetshme dhe mos i anashkalo vizitat para lindjes për të ulur këto rreziqe.
Në një shtet të zhvilluar dhe funksional, është thelbësore t’i kushtohet vëmendje e veçantë grave shtatzëna, të cilat përfaqësojnë një nga shtyllat kryesore të së ardhmes së shoqërisë. Në Kosovë, krijimi i një familje është një vendim i rëndësishëm, i cili kërkon mbështetje të qëndrueshme, përfshirë aspektin financiar. Kjo mbështetje mund të vijë edhe nga të ardhurat e partnerit/bashkëshortit ose nga një vend pune që respekton të drejtat e punonjësve dhe u jep përparësi grave që janë në procesin e krijimit të familjes.
Për një planifikim të mirëfilltë familjar, është shumë e rëndësishme që, përveç faktorëve emocionalë dhe social, të diskutohen edhe aspektet financiare dhe situata në vendin e punës. Një grua, përpara se të planifikojë një shtatzëni, do të ndihej më e sigurt dhe e qetë nëse do të kishte garanci se vendi i saj i punës respekton të drejtat e saj. Sistemet duhet të sigurojnë që gruaja të ketë një kontratë pune të rregullt, në mënyrë që të gëzojë të drejtat e plota gjatë periudhës së shtatzënisë dhe lehonisë. Kjo do të ndikonte pozitivisht në mirëqenien e përgjithshme të saj dhe të familjes. Çdo grua ka të drejtën e plotë për të shfrytëzuar pushimin e lehonisë, sipas dispozitave ligjore në fuqi. Për më shumë informacion, mund t’i referoheni ligjit aktual në Kosovë për mbrojtjen e të drejtave të grave shtatzëna dhe lehonave: Ligji për pushimin e lehonisë në Kosovë (https://gzk.rks-gov.net/ActDocumentDetail.aspx?ActID=2735) Mbrojtja e Grave Shtatzëna në Vende të Ndryshme
Për ta krahasuar me sistemet në vende të tjera, po sjellim disa nga të drejtat e punëtores shtatzënë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA): Akti i Diskriminimit të Shtatzënisë (PDA) Ky ligj federal garanton që gratë shtatzëna dhe ato pas lindjes, të punësuara në kompani me 15 ose më shumë punonjës, të kenë të drejta të barabarta me punonjësit e tjerë me gjendje mjekësore: Nuk mund të pushoheni nga puna për shkak të shtatzënisë. Keni të drejtë të përfitoni sigurim shëndetësor dhe pushim mjekësor. Punëdhënësi duhet të ofrojë detyra të përshtatura dhe orar fleksibël. Keni siguri në vendin e punës edhe gjatë pushimit të lehonisë. Akti për Lejen Familjare dhe Mjekësore (FMLA) Ky akt siguron mbrojtje për punonjësit e punësuar për të paktën një vit në kompani me 50 ose më shumë punonjës:
12 javë pushim të papaguar për kujdes para dhe pas lindjes. Sigurimi shëndetësor vazhdon sikur të ishit ende në punë. Keni të drejtën të riktheheni në të njëjtin pozicion me pagë dhe benefite të njëjta. Akti Amerikan për Aftësitë e Kufizuara (ADA)
Punëdhënësit me 15 ose më shumë punonjës duhet të ofrojnë rregullime për gratë që përjetojnë probleme shëndetësore të lidhura me shtatzëninë dhe periudhën pas lindjes:
Mundësohet zgjatja e pushimit prindëror nëse nuk krijon vështirësi të tepruar për kompaninë. Lejohen ndryshime të arsyeshme si orar fleksibël, pozicion më pak i lodhshëm ose punë nga distanca.
Ligjet për Ushqyerjen me Gji në Punë Sipas Aktit të Standardeve të Drejta të Punës (FLSA): Punëdhënësit duhet të ofrojnë pauza të arsyeshme për nënat që ushqejnë me gji deri në një vit pas lindjes. Duhet të sigurohet një hapësirë private dhe jo një tualet për shtrydhjen e qumështit.
Mbështetja ligjore për gratë shtatzëna dhe lehonat është e domosdoshme për të garantuar barazi dhe stabilitet financiar për familjet e reja. Ndërkohë që Kosova ka ligje të qarta në këtë drejtim, është thelbësore që gratë të jenë të informuara për të drejtat e tyre dhe të sigurojnë që ato respektohen nga punëdhënësit.
Kafeina është një substancë që gjendet në produkte si kafe, çaj, pije gazuese, çokollatë dhe disa pije energjike dhe medikamente. Ajo është një stimulant, që do të thotë se mund t’ju mbajë zgjuar.
Si ndikon kafeina tek ju dhe foshnja juaj gjatë shtatzënisë?
Kafeina rrit paksa presionin tuaj të gjakut dhe ritmin e zemrës dhe sasinë e urinës që trupi juaj prodhon. Ajo mund të shkaktojë ndjesi ankthi, probleme me tretjen ose vështirësi në gjumë. Gjatë shtatzënisë, mund të jeni më të ndjeshëm ndaj kafeinës, pasi mund t’ju duhet më shumë kohë për ta larguar atë nga trupi juaj krahasuar me periudhën kur nuk jeni shtatzënë. Kafeina gjithashtu mund t’ju shkaktojë edhe ndjesi si të përziera ose marramendje
Kur konsumoni kafeinë gjatë shtatzënisë, ajo kalon përmes placentës tek foshnja juaj (placenta rritet në mitrën tuaj dhe furnizon foshnjën me ushqim dhe oksigjen përmes kordonit umbilical).
Mund të keni dëgjuar se shumë kafeinë mund të shkaktojë abort (kur një foshnjë vdes në mitër para javës së 20-të të shtatzënisë), lindje para kohe (kur lindja ndodh para se shtatzënia të arrijë në 37 javë) ose peshë të ulët të lindjes (kur foshnja lind me peshë më të vogël se 2.500 gr). Disa studime thonë se kjo është e vërtetë, ndërsa të tjera jo.
Derisa të vërtetohet apo të hulumtohet më shumë se si kafeina mund të ndikojë në shtatzëni, është më mirë ta kufizoni sasinë që konsumoni në 200 miligramë në ditë. Kjo sasi është sa një filxhan i madh kafeje. Sigurohuni të kontrolloni madhësinë e filxhanit tuaj për të ditur sa kafeinë po merrni.
Cilët ushqime dhe pije përmbajnë kafeinë?
Kafeina gjendet në:
Kafenë dhe produktet me shije kafeje
Çaj
Disa pije freskuese
Pijet energjike
Çokollatën dhe produktet me çokollatë, si shurupi i çokollatës dhe kakaoja e ngrohtë
Disa ilaçe apo medikamente
Sasia e kafeinës në ushqime dhe pije ndryshon shumë. Për kafenë dhe çajin, kjo varet nga:
Marka
Mënyra e përgatitjes
Lloji i kokrrave të kafesë ose gjetheve të çajit të përdorura
Mënyra e shërbimit (p.sh., espresso ose latte)
Madhësia e filxhanit. Filxhanët e kafesë nuk kanë gjithmonë të njëjtën madhësi, edhe pse mund t’i konsideroni si standard. Kontrolloni sa mililitra apo gram përmban filxhani juaj, sidomos kur blini kafe ose çaj. Nëse i përgatisni vetë në shtëpi, matni madhësinë e filxhanit për saktësi.
Disa pije energjike përmbajnë sasi të mëdha kafeine. Për shembull, një pije energjike mund të përmbajë deri në 500 miligramë kafeinë. Këto pije shpesh përmbajnë shumë sheqer dhe përbërës që mund të jenë të dëmshëm gjatë shtatzënisë. Për shkak se nuk dihet mjaftueshëm për efektet e këtyre përbërësve, është më mirë të shmangen gjatë shtatzënisë.
Sasia e kafeinës që merrni gjatë ditës mund të shtohet pa e kuptuar. Nëse pini një filxhan kafe në mëngjes, mund të jetë e nevojshme të kufizoni ose të shmangni ushqime dhe pije të tjera me kafeinë gjatë ditës.
Më poshtë është një listë me sasitë mesatare të kafeinës në disa ushqime dhe pije të zakonshme. Këto vlera mund të ndryshojnë sipas markës dhe mënyrës së përgatitjes. Për të ditur saktësisht sa kafeinë përmban një produkt, kontrolloni etiketën e paketimit.
Ushqim/Pije
Sasia mesatare e kafeines ne miligram (mg)
Kafe e zier
135 mg (përafërsisht 80-200 mg)
Kafe instant (e tretshme)
75 mg
Kafe Decaf
2-15 mg
Kafe akullore ose kos i ngrirë me kafe
2 mg
Çaj i zier
45 mg (përafërsisht 15-60 mg)
Çaj instant (i tretshëm)
26-36 mg
Lëngje (p.sh Coca Cola) në sasi të vogla
35 mg (përafërsisht 30-45 mg)
Qumësht i çokolladës
5-8 mg
Çokolladë e zezë
30mg
Çokolladë e bardhë
11 mg
Cilët medikamente përmbajnë kafeinë?
Disa medikamente që përdoren për lehtësimin e dhimbjeve, migrenës, ftohjeve dhe për të ndihmuar në mbajtjen e vigjilencës përmbajnë kafeinë. Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) kërkon që etiketat e barnave të tregojnë sasinë e kafeinës që përmbajnë.
Nëse jeni shtatzënë, këshillohuni me mjekun tuaj përpara se të merrni ndonjë medikament që përmban kafeinë. Kjo vlen si për barnat me recetë, ashtu edhe për ato që shiten pa recetë. Receta është një urdhër për një medikament të dhënë nga një profesionist i kujdesit shëndetësor.
Disa produkte bimore përmbajnë kafeinë, siç janë guarana, yerba mate, arra kola dhe ekstrakti i çajit jeshil. Produktet bimore prodhohen nga bimët, të cilat përdoren si në gatim, ashtu edhe në mjekësi. FDA nuk kërkon që produktet bimore të tregojnë sasinë e kafeinës që përmbajnë. Nëse jeni shtatzënë, shmangni përdorimin e produkteve bimore, pasi nuk dihet me saktësi sa kafeinë përmbajnë.
A është kafeina e sigurt gjatë ushqyerjes me gji?
Akademia Amerikane e Pediatrisë (AAP) thotë se është e sigurt për nënat që ushqejnë me gji të konsumojnë kafeinë. Megjithatë, një sasi e vogël e kafeinës kalon në qumështin e gjirit, prandaj këshillohet kufizimi i saj. Foshnjat e ushqyera me gji nga nënat që pinë më shumë se 2 deri në 3 filxhanë kafe në ditë mund të bëhen të shqetësuara ose të kenë vështirësi në gjumë. Andaj propozohet që të kontrollohet konsumimi i kafeinës gjatë kësaj periudhe.
Nëse foshnja juaj ka lindur para kohe ose është e porsalindur, mund të jetë më mirë të kufizoni edhe më shumë kafeinën, pasi organizmi i saj e përpunon më ngadalë.
Nëse keni lexuar artikujt në faqen tonë prej disa kohësh, mund të keni vënë re se kemi diskutuar shpesh për rëndësinë e ruajtjes së shëndetit të mirë para shtatzënisë. E vërteta është që të kesh një foshnjë të shëndetshme fillon me kujdesin për shëndetin tuaj shumë kohë para shtatzënisë, duke u siguruar që keni marrë të gjitha vaksinat e nevojshme.
Çfarë vaksinash rekomandohen para shtatzënisë?
Mjeku juaj mund të sugjerojë disa vaksina përpara se të mbeteni shtatzënë për të mbrojtur shëndetin tuaj dhe të foshnjës. Disa nga vaksinat e rekomanduara përfshijnë:
Gripi (influenza) Është e këshillueshme që ta bëni vaksinën e gripit një herë në vit, përpara sezonit të gripit (zakonisht nga tetori deri në maj). Mbrojtja e kësaj vaksine zgjat rreth një vit, prandaj është e nevojshme të përsëritet çdo vit.
MMR (fruthi, shytat dhe rubeola) Kjo vaksinë mbron nga këto tri sëmundje. Pas marrjes së vaksinës MMR, është e rëndësishme të prisni të paktën katër javë para se të mbeteni shtatzënë.
Varicella (lia e dhenve) Nëse nuk keni kaluar lia e dhenve ose nuk keni marrë vaksinën për të, flisni me mjekun tuaj. Pas marrjes së vaksinës, rekomandohet të prisni një muaj para shtatzënisë.
Vaksina të tjera të rekomanduara
Në varësi të rreziqeve specifike shëndetësore, mjeku mund të sugjerojë vaksina shtesë përpara shtatzënisë, si:
Pneumonia: Parandalon infeksionet në mushkëri.
Meningjiti: Mbron kundër infeksioneve që shkaktojnë ënjtje të trurit dhe palcës kurrizore.
Hepatiti A dhe B: Mbron mëlçinë nga viruset e hepatitit A dhe B.
Haemophilus influenzae Tip B (Hib): Parandalon sëmundje të rënda bakteriale, si meningjiti dhe pneumonia.
Kujdes
Për më shumë informacion mbi vaksinat para dhe gjatë shtatzënisë, mund të vizitoni burime të tjera të besueshme si marchofdimes.org. Ju lutemi, mbani parasysh se këto rekomandime mund të ndryshojnë sipas vendit dhe politikave shëndetësore. Për çdo pyetje ose shqetësim, këshillohuni me një profesionist të kujdesit shëndetësor.
Çfarë mund të hani për një shtatzëni të shëndetshme? Është e zakonshme që gratë të kërkojnë informacion për të qenë sa më të shëndetshme para shtatzënisë. Kjo përfshin të mësuarit rreth ushqimeve më të mira për t’u konsumuar dhe atyre që duhet shmangur. Për shembull, mund të pyesni se si ushqimet që hani mund të ndikojnë në një gjendje kronike shëndetësore apo në fertilitetin tuaj. Ushqimet që konsumoni ofrojnë lëndë ushqyese të rëndësishme që ju ndihmojnë të jeni të shëndetshme para dhe gjatë shtatzënisë. Konsumoni një dietë të balancuar që përfshin: Produkte nga drithërat e plota, si tortilat (petë) e misrit, tërshëra, orizi kafe, buka, makaronat dhe drithërat e mëngjesit. Fruta të të gjitha llojeve, përfshirë ato të freskëta, të ngrira ose të konservuara pa sheqer të shtuar, si dhe lëng frutash që është 100% natyral. Perime të të gjitha ngjyrave, përfshirë ato të freskëta, të ngrira, të konservuara me pak kripë ose lëng perimesh 100% natyral. Proteina si mishi, pula, peshku, vezët, fasulet, bizelet, gjalpi i kikirikut, soja dhe tofu. Bylmet me pak yndyrë ose pa yndyrë, duke përfshirë qumështin, djathin dhe kosin. Yndyrna të shëndetshme nga avokado, arrat, farat, vaji i perimeve dhe vaji i ullirit. Përmes uebfaqjes së Departamentit të Bujqësisë së SHBA-së www.choosemyplate.gov mund t’ju ndihmojë të planifikoni vakte të shëndetshme para dhe gjatë shtatzënisë. Keni kujdes me mishin që konsumoni – ai duhet të jetë i gatuar mirë. Toksoplazmoza është një sëmundje e shkaktuar nga një parazit që gjendet në ushqime. Toksoplazmoza shkaktohet nga paraziti Toxoplasma gondii, i cili gjendet në mish të pagatuar ose të pjekur pak, në fruta dhe perime të palara, në ujë të ndotur, në pluhur, në tokë, në kuti të papastra të mbeturinave të maceve dhe në ambiente të jashtme ku mund të ketë jashtëqitje macesh. Nëse infektoheni me toksoplazmozë para ose gjatë shtatzënisë, kjo mund të jetë e dëmshme për ju dhe për foshnjën tuaj. Shmangni prekjen e gojës me duar pas pastrimit të kutisë së mbeturinave të maceve ose pas punës në kopsht. Gjithashtu, sigurohuni që mishi që konsumoni të jetë gatuar si duhet në temperaturë adekuate. Sa acid folik ju nevojitet para se të mbeteni shtatzënë? Acidi folik është një vitaminë që i nevojitet çdo qelize në trupin tuaj për rritje dhe zhvillim të shëndetshëm. Marrja e acidit folik para shtatzënisë dhe gjatë fillimit të saj mund të ndihmojë në mbrojtjen e foshnjës suaj nga defektet e lindjes në tru dhe shtyllën kurrizore, të quajtura defekte të tubit nervor (DTN), si dhe nga defektet e gojës, si buzë dhe qiellzë e çarë.
Për të ndihmuar në parandalimin e defekteve të lindjes, merrni çdo ditë një suplement vitaminash që përmban 400 mcg acid folik, të paktën 1 muaj para shtatzënisë dhe gjatë 12 javëve të para të saj. Gjatë shtatzënisë, ju nevojiten 600 mcg acid folik çdo ditë për të ndihmuar rritjen dhe zhvillimin adekuat të foshnjës. Marrja e një suplementi me 400 mcg acid folik çdo ditë është e rekomanduar edhe nëse nuk po përpiqeni të mbeteni shtatzënë. Nëse keni një rrezik të lartë për të pasur një foshnjë me defekte të tubit, duhet të merrni 4,000 mcg acid folik çdo ditë për të ndihmuar në parandalimin e një defekti të tubit nervor. Filloni të merrni 4,000 mcg 3 muaj para shtatzënisë dhe vazhdoni deri në javën e 12-të të saj. Gjithashtu, ju mund të merrni acid folik përmes ushqimeve. Kur acidi folik gjendet natyrshëm në ushqime, quhet folat.
Ushqimet që janë burime të mira të folatit përfshijnë:
Fasulet, si thjerrëzat, fasulet pinto dhe fasulet e zeza Perimet me gjethe të gjelbra, si spinaqi dhe sallatat e gjelbërta Asparagus Brokoli Kikirikët Agrumet, si portokallet dhe grejpfrutat Frutat e pyllit Lëngu i portokallit (më i miri është ai 100% natyral) Acidi folik është forma e krijuar nga njeriu e folatit që gjendet në ushqime të fortifikuara dhe suplemente vitaminash. Ushqimet e fortifikuara dhe të pasuruara kanë shtuar lëndë ushqyese, si acidi folik. Kërkoni fjalët “e fortifikuar” ose “e pasuruar” në etiketat e produkteve si: Bukë Drithëra për mëngjes Miell misri Miell gruri Makarona Produkte të bëra nga një lloj mielli i quajtur “masa misri,” si tortillat, patate të skuqura, petë tacos Orizi i bardhë
A duhet të keni kujdes se sa sheqer konsumoni? Konsumimi i tepërt i sheqerit mund të rrisë rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve të zemrës, tensionit të lartë të gjakut, inflamacionit kronik, diabetit dhe sëmundjes së mëlçisë yndyrore. Gjithashtu, mund të çojë në shtim të tepërt në peshë. Sheqeri gjendet natyrshëm në të gjitha ushqimet që përmbajnë karbohidrate. Kjo përfshin frutat, perimet, drithërat dhe produktet e bylmetit. Trupi juaj i tret ushqimet që përmbajnë sheqer natyral ngadalë, duke ofruar energji të qëndrueshme për qelizat tuaja. Sigurohuni të konsumoni
mjaftueshëm fruta dhe perime të freskëta, pasi ato mund t’ju ndihmojnë të ulni rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve kronike si diabeti, sëmundjet e zemrës apo disa lloje të kancerit. Sheqernat e shtuara janë ato që nuk gjenden natyrshëm në ushqime, por shtohen për t’u dhënë shije më të mirë ushqimeve dhe pijeve. Pijet janë burimi më i zakonshëm i sheqernave të shtuara. Pijet freskuese, pijet me fruta, pijet energjike, kafeja dhe çaji me shije (jo kafeja ose çaji i zi), kosët me shije, drithërat, biskotat, tortat, karamelet dhe shumica e ushqimeve të përpunuara përmbajnë sheqer të shtuar. Ai gjithashtu mund të gjendet në ushqime që mund të mos i mendoni si të ëmbla, si supat, buka, mishi i përpunuar si sallami dhe ketchup-i. Për të gjetur sheqernat e shtuara në ushqime, kontrolloni etiketën ushqimore. Disa emra të sheqernave të shtuara përfshijnë mjaltin, shurupin e misrit me fruktozë të lartë, shurupin e panjës, koncentratin e lëngut të frutave dhe dekstrozën. Shoqata Amerikane e Zemrës (American Heart Association – AHA) rekomandon që gratë të kufizojnë sheqerin e shtuar në jo më shumë se 6 lugë çaji në ditë, që korrespondon me jo më shumë se 25 gramë sheqer të shtuar në ditë. Shumica e të rriturve konsumojnë rreth 77 gramë sheqer në ditë, që është trefishi i asaj që duhet të konsumojë një grua. Një kanaçe pije freskuese përmban 8 lugë çaji sheqer të shtuar. Frutat e freskëta përmbajnë sheqer natyral, por gjithashtu kanë fibra, vitamina dhe minerale. Është shumë më e shëndetshme të konsumoni një frut të freskët ose të pini një gotë ujë sesa të hani karamele ose të pini pije freskuese me sheqer të shtuar. Etiketat ushqimore së shpejti do të përfshijnë sasinë e sheqerit të shtuar për çdo produkt, duke e bërë më të lehtë ndjekjen e sasisë së sheqerit të shtuar që konsumoni.
Megjithëse Qershori është muaji i Shëndetit të Burrave, ndryshimet për të përmirësuar shëndetin mund të bëhen në çdo moment të vitit. Shëndeti para konceptimit shpesh fokusohet në atë çfarë mund të bëjnë gratë para shtatzënisë. Megjithatë, shëndeti para konceptimit është i rëndësishëm edhe për burrat. Shëndeti i spermës së burrit mund të ndikojë nga shëndeti i tij i përgjithshëm dhe stili i jetesës. Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), disa gjëra që mund të zvogëlojnë shëndetin ose numrin e spermës së burrit përfshijnë:
Diabeti i Tipit 1
Përdorimi i tepërt i alkoolit
Mosha
Shëndeti i dobët
Substancat e dëmshme, përfshirë disa spreje kundër insekteve dhe metale si plumbi
Çështjet shëndetësore si sëmundjet e veshkave ose problemet me hormonet
Mjekimet (ato pa recetë dhe shtesat natyrale)
Traktimi me rrezatim dhe kimioterapi për kancerin
Disa ilaçe, si marijhuana, kokaina dhe steroidët anabolikë
Duhani Këtu janë disa këshilla që burrat mund të ndjekin për t’u përgatitur për konceptimin.
Arritja dhe mbajtja e një peshe të shëndetshme. Obesiteti është drejtpërdrejt i lidhur me infertilitetin e rritur te burrat, sipas CDC-së. Për më tepër, si mbipesha ashtu edhe nënpesha rrisin rrezikun për probleme serioze shëndetësore. Ndryshimet e shpejta në dietë shpesh nuk japin rezultate afatgjata. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që burrat të hanë ushqime të shëndetshme dhe të ushtrohen rregullisht. Kjo përfshin konsumimin e shumë frutave dhe perimeve të pasura me antioksidantë, të cilat mund të ndihmojnë në përmirësimin e shëndetit të spermës. Provoni të gatuani një vakt të shëndetshëm ose të bëni shëtitje ditore së bashku për ta bërë më argëtues! Dhe, nëse vetëm njëri prej jush duhet të bëjë ndryshime, sigurohuni që ta mbështesni partnerin tuaj në objektivat e tij.
Merrni njohuri për historinë shëndetësore të partnerit tuaj. Historia shëndetësore familjare është një regjistër i kushteve shëndetësore dhe trajtimeve që keni pasur ju, partneri juaj dhe të gjithë të afërmit tuaj. Është e rëndësishme të filloni të kërkoni për historinë tuaj familjare para se të merrni vendimin për të pasur një fëmijë. Disa kushte shëndetësore kronike mund të çojnë në defekte të lindjes. Flisni me mjekun tuaj për çështjet shëndetësore që përhapen në familjen e partnerit si dhe në familjen tuaj.
Reduktoni ekspozimin ndaj substancave toksike. Ekspozimi ndaj substancave toksike dhe materialeve të tjera të dëmshme në punë apo në shtëpi mund të ndikojë në sistemin riprodhues të burrave. Kjo përfshin kimikate, metale, plehra, spreje kundër insekteve dhe jashtëqitje nga macet ose kërpudhat. Këto mund ta bëjnë më të vështirë për një çift të mbesë shtatzënë. Ja çfarë rekomandon CDC për burrat.
Ndalimi i përdorimit të duhani, alkoolit ose përdorimit të drogave. Të gjitha këto mund ta bëjnë më të vështirë për një çift të mbesë shtatzënë. Në fakt, burrat që pijnë duhan kanë më shumë
mundësi të kenë një numër të ulët spermatozoidesh. Pirja e tepërt e alkoolit gjithashtu mund të çojë në probleme me cilësinë e spermës. Nëse vendosni të pini, bëjeni këtë me modesti. Për burrat e shëndetshëm, kjo do të thotë deri në dy pije në ditë.
Bëni një kontroll të shëndetit mendor. Shëndeti mendor është mënyra se si mendojmë, ndiejmë dhe veprojmë ndërsa përballojmë jetën. Të gjithë ndihen të shqetësuar, të stresuar, të trishtuar ndonjëherë. Megjithatë, nëse këto ndjenja nuk largohen, ato mund të ndikojnë në jetën e përditshme. Stresi mund të ulë funksionin seksual të burrave dhe të ndikojë negativisht në prodhimin e spermës. Nëse ju ose partneri juaj po përjetoni probleme me shëndetin mendor, flisni me mjekun tuaj për ndjenjat tuaja. Burimi: March of Dimes Data: 14 Qershor, 2022