Kategori: Foshnja dhe nëna

  • Gjashtë javët e para pas lindjes

    Gjashtë javët e para pas lindjes

    Gjashtë javët e para pas lindjes

    Marrë nga March of Dimes

    Gjatë shtatzënisë, trupi juaj ka ndryshuar shumë përderisa ka punuar për të mbajtur foshnjën të sigurtë dhe të shëndetshme. Tani që foshnja juaj ka lindur, ndryshime të tjera ndodhin në trupin tuaj. Disa nga këto ndryshime janë fizike si p.sh. gjoksi juaj mbushet me qumësht. Ndryshimet e tjera janë emocionale, si rritja e stresit. Ja se çka mund të prisni.

    Çka është dhimbja perineale?

    Zona ndërmjet vaginës dhe zorrës së trashë quhet perineum. Gjatë shtrëngimeve dhe procesit të lindjes, kjo zonë hapet madje mund edhe të çahet. Dhimbjet do të jenë edhe më të mëdha nëse keni pasur epiziotomi (prerja e hyrjes së vaginës për të ndihmuar foshnjën të dalë jashtë). Për të menaxhuar dhimbjen e perineumit, ju mund të bëni:

    • Ushtrimet Kegel. Këto ushtrime do t’i forcojnë muskujt në zonën e legenit, e cila ndihmon në shërimin e perineumit. Për t’i praktikuar këto ushtrime, shtrëngoni muskujt që ju përdorni për të ndaluar urinimin. Mbani muskujt e shtrënguar për 10 sekonda dhe pastaj lëshojini.
    • Vendosni një leckë të ftohtë në zonën perinale. Përdorni akull të mbështjellë me një leckë. Ju poashtu mund të blini lecka të gatshme të cilat i mbani në frigorifer.
    • Uluni mbi jastëk.
    • Mbusheni vaskën me ujë të ngrohtë dhe qëndroni aty për një kohë.
    • Pastroni vaginën sa herë që shkoni në banjë. Kjo do t’ju ndihmojë të parandaloni infeksionet kur epiziotomia juaj shërohet.
    • Pyesni mjekun tuaj për medikamente që ju ndihmojnë të lehtësoni dhimbjen.

    Çka janë dhimbjet e paslindjes?

    Dhimbjet e paslindjes janë ngërçe që ndjeni përderisa mitra juaj kthehet në madhësinë e saj të rregullt. Menjëherë pas lindjes së foshnjës, mitra juaj është e rrumbullakët, e fortë dhe peshon rreth 1.14kg. Afër 6 javë pas lindjes së foshnjës, mitra peshon rreth 57gr. Këto ngërçe duhet të kalojnë pas disa ditësh. Pyesni mjekun tuaj për medikamentet pa recetë që mund t’i merrni për lehtësim të dhimbjes.

    Çfarë ndryshime në trup mund të ndodhin pas prerjes cezariane?

    Lindja me prerje cezariane është një operacion i vështirë prandaj do t’ju duhet një kohë për t’u shëruar. Ju mund të ndiheni shumë e lodhur në ditët apo javët e para pas lindjes me prerje cezariane. Kjo ndodh për shkak se ju humbni shumë gjak gjatë operacionit. Poashtu, mund të keni dhimbje në varrën nga prerja në barkun tuaj. Ja se çfarë mund të bëni:

    • Pyesni mjekun tuaj për medikamente kundër dhimbjes dhe konsultohuni me të para se të përdorni ndonjë medikament të blerë pa recetën e mjekut.
    • Kërkoni nga partneri, familja apo shoqëria që t’ju ndihmojnë në kujdesin e fëmijës dhe punëve të shtëpisë.

    Çfarë është rrjedhja e lëngjeve nga vagina?

    Ekziston një lëng trupor që rrjedh nga vagina, rrjedhja e të cilit mund të rritet gjatë dhe pas shtatzënisë. Pas lindjes së foshnjës, trupi liron gjakun dhe indet që kanë qenë brenda mitrës. Në ditët e para, ky lëng është më i rëndë, me ngjyrë të kuqe të çelët dhe mund të përmbajë mpiksje të gjakut. Pas një kohe, rrjedhja bëhet më e lehtë dhe me ngjyrë më të çelët. Kjo rrjedhje mund të vazhdojë për disa javë, për një muaj apo edhe më tepër. Përdorni fasuleta intime të femrave deri sa rrjedhja e lëngjeve nga vagina të ndalet.

    Çfarë është bllokimi i gjirit?

    Bllokimi i gjirit ndodh kur gjinjtë fryhen pasi të mbushen me qumësht. Kjo mund t’ju shkaktojë dhimbje. Kur ju të filloni gjidhënien, dhimbja duhet të fillojë të largohet. Nëse nuk planifikoni ta ushqeni foshnjën me gji, kjo do të zgjasë deri sa gjinjtë të ndalojnë së prodhuari qumësht. Klikoni këtu për të mësuar për mënyrat se si mund ta menaxhoni bllokimin e gjirit.

    Çfarë është dhimbja e thithkave?

    Nëse jeni duke dhënë gji, ju mund të hasni në dhimbje në zonën e thithkave dhe përreth tyre gjatë ditëve të para, sidomos nëse në thithkat tuaja ka çarje. Mirëpo gjidhënia nuk duhet të dhembë, nëse ajo dhembë atëherë ka mundësi që të keni problem me pozicionimin e foshnjës, klikoni këtu për të parë se si ju mund të arrini një pozitë të përshtatshme. Klikoni këtu për të mësuar mënyrat për të menaxhuar dhimbjen e thithkave.

    Çfarë është ënjtja?

    Shumicës së grave ju ënjten duart, këmbët dhe fytyra gjatë shtatzënisë. Kjo shkaktohet nga lëngjet e shtuara në trup që ju ndihmojnë në përgatitjen e trupit për dhimbjet dhe procesin e lindjes. Mund të kalojë një kohë para se të hiqet e ënjtja edhe pasi që të lindë foshnja. Ja se çfarë mund të bëni për të menaxhuar ënjtjen e trupit:

    • Shtrihuni në anën e majtë të trupit dhe ngrini këmbët lartë.
    • Mundohuni të qëndroni e qetë dhe vishni rroba të gjëra.

    Çfarë janë hemorroidet?

    Hemorroidet janë vena të ënjtura dhe që dhembin brenda dhe përreth anusit. Ato iu shfaqen shumicës së grave gjatë shtatzënisë. Hemorroidet mund të përkeqësohen pas lindjes së foshnjës. Ja se çfarë mund të bëni për të menaxhuar hemorroidet:

    • Mbusheni vaskën me ujë të ngrohtë dhe qëndroni aty për një kohë.
    • Përdorni një spërkatës ose krem që shitet pa recetën e mjekut për të lehtësuar dhimbjen. Konsultohuni me mjekun për llojet e lejueshme për përdorim.
    • Hani ushqime që përmbajnë shumë fibra, si fruta, perime si dhe bukë me drithëra të papërpunuara.
    • Pini shumë ujë.
    • Mundohuni të mos sforcoheni në rast të turbullimeve të barkut.

    Çfarë është kapsllëku?

    Kapsllëku ndodh kur keni gazra me dhimbje ose vështirësi për të dalur jashtë. Kapsllëku mund të shfaqet pas lindjës së foshnjës. Ja se çfarë duhet të bëni për të menaxhuar kapsllëkun:

    • Hani ushqime që përmbajnë më shumë fibra.
    • Pini shumë ujë.
    • Pyesni mjekun për medikamente të nevojshme.

    Çfarë probleme të urinimit mund të shfaqen pas lindjes së foshnjës?

    Ju mund të ndjeni dhimbje ose therje kur urinoni. Ju poashtu mund ta keni të vështirë të urinoni, ose e kundërta, ju mund ta keni të vështirë të ndaloni së urinuari. Kjo quhet mos përmbajtje e urinës. Nëse keni dhimbje, therje, probleme në urinim apo në mbajtjën e urinës:

    • Pini shumë ujë.
    • Lëshoni ujin në lavaman kur shkoni në banjë.
    • Mbusheni vaskën me ujë të ngrohtë dhe qëndroni aty për një kohë.
    • Nëse dhimbja vazhdon kontaktoni mjekun tuaj.
    • Bëni ushtrimet Kegel për të forcuar muskujt e legenit. Kjo do t’ju ndihmojë në rastin e mos përmbajtjes së urinës.

    Pse mund të djersini më tepër pas lindjes së foshnjës?

    Kjo ndodh tek shumë nëna të reja, sidomos gjatë natës. Djersitja shkaktohet nga të gjitha hormonet që krijohen në trupin tuaj pas shtatzënisë. Ja se çfarë mund të bëni në këtë rast:

    • Vendosni një peshqir mbi çarçafë dhe jastëkë ashtu që të mos i lagni ato.
    • Mos përdorni shumë batanije apo vishni rroba të trasha për në shtrat.

    Pse mund të ndiheni e lodhur pas lindjes së foshnjës?

    Ju mund të humbni shumë gjak gjatë procesit të lindjes. Kjo do të shkaktojë lodhjën e trupit. Poashtu, foshnja me siguri nuk do t’ju lë të flini gjatë tërë natës. Ja se çfarë mund të bëni:

    • Flini kur foshnja fle, edhe kur ai/ajo bën një sy gjumë gjatë ditës.
    • Hani ushqim të shëndetshëm si fruta, perime, bukë dhe pasta me drithë të papërpunuar, mish pa dhjamë dhe mish pule. Kufizoni ëmbëlsirat dhe ushqimet e yndyrshme.
    • Kërkoni nga partneri, familja apo shoqëria t’ju ndihmojnë në kujdesin e fëmijës dhe punëve të shtëpisë.

    Kur do të mund të ngeleni shtatzënë përsëri?

    Nëse nuk praktikoni gjidhënien, menstruacionet do t’ju vijnë rreth 6 deri në 8 javë pas lindjes së foshnjës. Nëse praktikoni gjidhënien, ju mund të mos e filloni ciklin menstrual për muaj të tërë. Disa gra nuk do të kenë cikël menstrual përderisa ushqejnë foshnjën me gji. Është e mundur që ju mund të ovuloni (të lironi vezë) para se menstruacionet të rifillojnë. Kjo do të thotë që mund të mbesni shtatzënë, pavarësisht nëse praktikoni ose jo gjidhënien. Përdorni masa mbrojtëse për t’u siguruar që të mos mbesni shtatzënë pa qenë gati. Nëse jeni duke dhënë gji, konsultohuni me mjekun për llojin e mjeteve mbrojtëse të lejueshme për përdorim, sepse jo të gjitha janë të sigurta për t’u përdorur gjatë gjidhënies.

    A mund të humbni në peshë pas lindjes së foshnjës?

    Tani është koha mjaft e përshtatshme për të pasur një peshë të shëndetshme, pa marrë parasysh sa keni peshuar para shtatzënisë. Nëse keni peshë të shëndetshme, ju do të ndiheni më mirë, si dhe mundësia për të hasur në sëmundje si diabeti apo tensioni i lartë i gjakut është më e vogël. Gjithashtu, është më mirë nëse keni një peshë të shëndetshme në rast se mbesni shtatzënë prapë apo nëse planifikoni të keni një fëmijë tjetër në të ardhmen. Ja se çfarë mund të bëni që të humbni në peshë:

    • Flisni me mjekun për një peshë të shëndetshme. Nëse ju keni pasur ca kilogramë të tepërta para shtatzënisë, ju do të doni të humbni më shumë sesa peshën e fituar gjatë shtatzënisë.
    • Hani ushqime të shëndetshme. Kufizoni ëmbëlsirat dhe ushqimet me shumë yndyrë.
    • Pini shumë ujë.
    • Merruni çdo ditë me ndonjë aktivitet. Ecja dhe noti janë aktivitete të mira për nënat e reja.
    • Ushqeni foshnjën tuaj me qumësht gjiri. Kjo do t’ju ndihmojë të digjni kalori, dhe të bini në peshë më shpejtë sesa nëse nuk do ta praktikonit gjidhënien.
    • Mos u ndjeni keq nëse nuk mund të humbni peshë me shpejtësi. Ndonjëherë është mjaft e vështirë të humbni peshë që keni fituar gjatë shtatzënisë. Konsultohuni me mjekun apo me një nutricionist për mbështetje dhe këshilla.

    Çfarë ndryshime mund të ndodhin në lëkurë pas lindjes së foshnjës?

    Ju mund të keni të çara në vendet ku lëkura është zgjatur, si p.sh. në bark, kofshë, gjinj dhe të pasme. Përdorni kremra dhe losione në lëkurë për të menaxhuar të çarat.

    Çfarë ndryshime mund të pësojnë flokët pas lindjes?

    Flokët tuaja mund të jenë dukur më të dendura dhe me qime më të plota. Pas lindjes së foshnjës suaj, flokët mund të ju dobësohen. Humbja e flokëve zakonisht zgjat 3 deri në 4 muaj pas lindjes së foshnjës. Ja se çfarë mund të bëni:

    • Hani shumë fruta dhe perime. Këto do të mbrojnë dhe të ndihmojnë në rritjën e flokëve.
    • Mos i kapni flokët në bisht, gërsheta si dhe mos përdorni shnolla dhe llokne. Ato mund të tërheqin dhe të bëjnë presion në flokun dhe kokën tuaj.
    • Thani flokët me temperaturë të ulët.
  • Si duhet të flejë foshnja?

    Si duhet të flejë foshnja?

    Foshnja duhet të flejë në shpinë, në krevat fëmijësh, në dhomën e prindërve. Kjo do të ndihmojë në parandalimin e Sindromit të Vdekjes së Papritur të Fëmijës.

    Është shumë e rëndësishme që foshnja të fle në shpinë. Kjo zvogëlon shumë rrezikun e Sindromit të Vdekjes së Papritur të Fëmijës (SVPF). SVPF më së shumti i prek fëmijët ndërmjet 2-4 muajsh. Shumica e vdekjeve nga SVPF janë të lidhura me gjumin dhe ndër faktorët më të rrezikshëm është fjetja barkazi. Që kur foshnjat janë vënë të flenë në shpinë në Shtetet e Bashkuara, vdekjet nga SVPF kanë shënuar rënie prej mbi 50%. Kur foshnja të mund të rrotullohet vetë kur është rreth 4-7-muajshe, është në rregull që ta lini të fle barkazi nëse kthehen vetë në atë pozitë pasi ju ta keni lënë në shpinë. Mënyra tjera si të zvogëloni SVPF-në përfshijnë:

    • Vendoseni foshnjën në krevatin e fëmijëve në dhomën tuaj. Kjo do ta bëjë ushqyerjen me gji edhe më efektive gjatë natës. Derisa foshnja do të zgjohet më shpesh për t’u ushqyer, studimet kanë treguar që nënat flenë së paku aq sa flenë foshnjat kur janë në dhomë tjetër. Gjithashtu, foshnjat që ndajnë dhomën me prindërit flenë më shumë sesa ato që kanë dhomë të veçantë.
    • Sigurohuni që krevati i foshnjës ka sipërfaqe të butë e të rrafshët dhe nuk ka batanije, jastëk, lodra, kukulla apo lojëra tjera. Nuk duhet të ketë më shumë se 6 cm ndërmjet listelave të shtratit, dhe jo më shumë sesa trashësia e një gishti mes dyshekut dhe listelave.
    • Mos e bëni foshnjën të nxehet. Foshnja duhet të jetë e veshur në pizhame, e mbështjellur në një batanije apo mbështjellëse të gjumit (batanije që vishet). Mbani temperaturën e dhomës ndërmjet 16-20°C.
    • Ushqeni foshnjën me gji pasi ka dëshmi se kjo e zvogëlon rrezikun e SVPF.
    • Nëse nuk e ushqeni foshnjën me gji, provoni ta vini foshnjën në gjumë duke përdorur biberon gjatë vitit të parë të jetës.
    • Sigurohuni që foshnja ka marrë vaksinat e imunizimit dhe bëni kontrolle të rregullta mjekësore pasi kjo e ul rrezikun e SVPF për 50%.
    • Mbani foshnjën larg nga ambientet ku konsumohet duhani pasi që ekspozimi si duhanpirës pasiv dyfishon rrezikun e foshnjës për të pasur SVPF. Poashtu, mos pini duhan gjatë shtatzënisë pasi kjo trefishon rrezikun për SVPF.

    Nëse planifikoni që foshnja të fle në krevatin tuaj, është shumë e rëndësishme që t’i ndiqni këto udhëzime që të mbani foshnjën të sigurtë dhe të evitoni ngulfatjen. Rreth gjysma e vdekjeve SVPF ndodhin kur foshnja ndan një krevat, divan apo kolltuk me një person tjetër.

    • Mos e lejoni askënd që është në ndikim të alkoolit apo drogës që të fle në atë krevat.
    • Mos e lejoni askënd që konsumon duhan të fle në atë krevat, edhe nëse nuk konsumon në krevat.
    • Mos e lejoni askënd që është shumë i sëmurë apo shumë i lodhur që të zgjohet lehtë.
    • Mos i lejoni fëmijët tjerë të flenë pranë foshnjës në krevat.
    • Vini foshnjën në gjumë vetëm në dyshek të rrafshët dhe të butë. Mos e leni foshnjën të fle (me apo pa ju) në krevat me ujë apo me gunga, në divan, në kolltuk, apo çfarëdo sipërfaqe tjetër që nuk është e butë apo mund të ketë efekt në frymëmarrjën e foshnjës suaj.
    • Sigurohuni që çarçafët janë të mbërthyer mirë, të mos përdorni batanije/mbështjellës të rëndë dhe të mbani jastëkët larg fytyrës së foshnjës.
    • Mos e mbështjellni foshnjën, por në vend të saj përdorni mbështjellëse të gjumit apo shpioza. Që të evitoni nxehjën e foshnjës, vishni foshnjën me rroba më të lehta sesa që do ta vishnit nëse do të flinte e vetme.
    • Për më tepër, mund ta vendosni dyshekun në dysheme, që edhe nëse foshnja rrotullohet ajo nuk do të bie shumë poshtë. Nëse jo, atëherë vendoseni krevatin të mbështetur për muri dhe kontrolloni çdo ditë se mos ka hapësira nga të cilat foshnja mund të rrëshqasë, dhe nëse ka mbuloni ato me ndonjë peshqir të rrotulluar apo të mbledhur. Mos përdorni listela nga koka apo këmbët që janë më shumë se 6 cm ndërmjet pasi këto mund ta zënë kokën e foshnjës. Vendosni krevatin larg elementeve të dhomës të cilat mund të jenë të rrezikshme për foshnjën siç janë spangot për tërheqjën e roletave të dritareve, llambat, etj. 
  • Të qarat dhe qetësimi i foshnjës

    Gjatë disa muajve të parë, foshnjat qajnë rreth një orë e gjysmë në ditë për arsye të ndryshme si uria, dhimbja, frika, lodhja apo thjeshtë duan që ta mbani. E qara e vazhdueshme mund të shkaktojë shumë stres dhe lodhje kështu që është e rëndësishme që të gjeni mënyra të qetësoni foshnjën. Nëse i kuptoni shenjat e foshnjës, kjo do t’ju ndihmojë që të reagoni dhe në shumë raste të parandaloni të qarat që të mos fillojë fare.

    Nëse foshnja qanë, provoni të:

    • Kontrolloni nëse foshnja është e uritur.
    • Kontrolloni që të siguroheni që nuk i është ndotur pelena. Nëse kjo ka ndodhur, ndërroni atë.
    • Vini re shenjat e sëmundjes dhe dhimbjes. Kontrolloni nëse ajo ka temperaturë më të lartë se 38áµ’C, nëse i është ënjtur mishi i dhëmbëve apo ka infeksion të veshit.
    • Lëkundni foshnjën apo ecni me të.
    • Këndoni apo flisni me foshnjën.
    • Ofroni një biberon apo një lodër.
    • Bëni një xhiro me karrocë.
    • Bëni një xhiro me makinë. Sigurohuni që ta lidhni mirë në ulësen e makinës.
    • Mbështjellni foshnjën me një batanije.
    • Lëshoni muzikë të lehtë apo lëshoni diçka në televizor. Sigurohuni që zëri të mos jetë i lartë.
    • Ndizni fshesën me rrymë, ndizni makinën e tharrjes së rrobave apo lëshoni ujin në rubinet apo vaskë. Disa foshnje i pëlqejnë këta tinguj.
    • Mbani foshnjën afër trupit tuaj. Merrni frymë qetë dhe ngadalë.
    • Nëse asgjë tjetër nuk funksionon, vendosni foshnjën në krevatin e saj, mbylleni derën dhe kontrollojeni pas 10 minutash.

    Poashtu ekziston një teknikë e njohur botërisht që prindërit e kanë përdorur për të qetësuar foshnjën dhe ta vënë në gjumë për disa minuta. Kjo metodë aktivizon reflekset e foshnjës duke bërë pesë hapa të thjeshtë që imitojnë mitrën e nënës së tyre: Pesë S-të janë: 1) mbështjellja me batanije, 2) pozicionimi në krah apo bark, 3) shush, 4) lëkundja (swing), 5) thithja (suck). Shikoni këtë video për të mësuar këtë teknikë në disa minuta. Poashtu mund të mësoni më shumë rreth kësaj teknike në portalin Happiest Baby.

    Është e rëndësishme që ju t’i përgjigjeni foshnjës shpejtë që ta siguroni që ajo nuk është vetëm. Mos u brengosni, nuk e llastoni duke e mbajtur shumë në dorë. Studimet kanë treguar se foshnjat që janë mbajtur shpesh kanë qarë shumë më pak. Ato poashtu rriten dhe bëhen më të pavarura, sipas një hulumtimi nga Johns Hopkins University, një nga institucionet më të mira botërore të shëndetësisë.

    Nëse foshnja juaj qan më gjatë sesa zakonisht dhe asgjë që ju bëni nuk e qetëson, kontaktoni mjekun e foshnjës për të kontrolluar nëse mund të ketë ndonjë arsye mjekësore apo nëse është e sëmurë. Ajo mund të ketë dhimbje të barkut (ngërçe) që shkaktojnë të qara të mëdha për më shumë se 3 orë në ditë. Kjo ndodh në 1 nga 10 foshnje. Kjo fillon kur foshnja është 2-3 javëshe, arrin kulmin pas 6 javësh dhe vazhdon deri sa foshnja të jetë 3-4 muajshe. Ndodh në të njëjtën kohë gjatë ditës, zakonisht pasdite vonë apo në mbrëmje. Rreth 20% e foshnjave thuhet se kanë dhimbje të barkut. Ka shumë teori se përse disa foshnja kanë këto dhimbje, për është shumë e mundur që foshnja është e ndjeshme ndaj lodhjes apo stimulimit të tepërt, dhe jo për shkak të gazrave. Nëse foshnja juaj duket se ka dhimbje të barkut, praktikoni Pesë S-të të shpjeguara si në video.

    Kurrë mos e tundni foshnjën tuaj. Nëse filloni të nervozoheni, leni foshnjën diku të sigurtë dhe largohuni. Poashtu mund të thirrni ndonjë familjar apo mik për t’ju ndihmuar. Nuk duhen më shumë se disa sekonda tundje që të shkaktoni dëmtime afatgjata në trurin e foshnjës, që rezulton në Sindromin e Foshnjës së Tundur (SFT). SFT është shkaku kryesor i vdekjeve nga abuzimi i fëmijëve në Shtetet e Bashkuara. Mosha mesatare e viktimave është ndërmjet 3 dhe 8-muajshe. Në shumicën e rasteve, personi që dëmton foshnjën është mashkull në të njëzetat. Ai shpesh është babai i foshnjës apo i dashuri i nënës. Rreth gjysma e foshnjave që kanë SFT, vdesin.

  • Siguria dhe shëndeti

    Siguria dhe shëndeti

    Foshnjat gjithsesi do të sëmuren, mesatarisht rreth 6-12 herë gjatë vitit të parë të lindjes. Larja e duarve (për 20 sekonda me sapun) është mënyra më e lehtë dhe më efektive për të larguar bakteret, sidomos pas ndërrimit të pelenave apo përgatitjes së ushqimit. Poashtu duhet t’i lani lodrat e foshnjës në ujë të nxehtë me shampon. Këtu i keni pesë gjëra të rëndësishme që mund t’i bëni të mbani foshnjën të shëndetshme dhe të sigurtë:

    1. Bëni të gjitha vaksinat e imunizimit që të shmangni sëmundjet vdekjeprurëse.
    2. Ushqeni foshnjën me gji pasi kjo e mbron foshnjën nga shumë sëmundje.
    3. Sigurohuni që foshnja të fle e sigurtë.
    4. Kontrolloni ndotjen e pelenave që të siguroheni që foshnja po merr mjaftueshëm qumësht.
    5. Qëndroni të qetë ose largohuni; ne ju tregojmë mënyra që të qetësoni foshnjën që qanë pa pushim.

    Kur të kërkoni ndihmë mjekësore

    Kur duhet të kërkoni ndihmë urgjente për foshnjën?

    Kontaktoni mjekun e foshnjës apo shkoni në spital menjëherë nëse foshnja juaj:

    • Ka gjak në të vjella dhe jashtëqitje.
    • Ka problem me frymëmarrje (merr më tepër se 60 frymëmarrje brenda një minute), ose ka filluar të bëhet i kaltër rreth buzëve, hundës, thonjve të dorës apo në lëkurë.
    • Ka krizë. Kur një person ka krizë, i tërë trupi apo pjesë të trupit lëvizin pa kontrollë. Nganjëherë ndodh që edhe të mos marrë frymë.
    • Ka ngrënë diçka si detergjent, sapun, zbardhues apo pluhur për mbytjen e bakterieve që shkakton të vjella, diarre dhe vështirësi në frymëmarrje.
    • Vështirë zgjohet nga gjumi apo është shumë e lodhur.
    • Temperatura në vrimën anale është mbi 38áµ’C apo nën 36.5áµ’C.
    • Është lënduar dhe nuk i ndalet gjakderdhja.
    • Ka një apo më shumë episode të gërhitjes (apnea e gjumit). Gërhitja është ndërprerja e frymëmarrjes për një periudhë të shkurtër.
    • Lëkura apo sytë kanë ngjyrë të verdhë.

    Kur mund ta dërgoni foshnjën për vizitë gjatë orarit të rregullt të punës?

    Kontaktoni mjekun e foshnjës gjatë orarit të punës nëse foshnja juaj:

    • Ha më pak se zakonisht apo ka ndryshime në apetit.
    • Qanë, vjellë apo nuk rehatohet gjatë tërë kohës.
    • Shpesh ka diarre. Kjo është vështirë të dallohet tek foshnjat që ushqehen me gji pasi ato kanë jashtëqitje të butë. Kontaktoni mjekun e foshnjës nëse jashtëqitjet e foshnjës janë shumë të buta apo të lëngshme në 6-8 pelena radhazi.
    • Ka kapsllëk dhe nuk ka fare jashtëqitje.
    • Vjellë (më shumë sesa vetëm rrjedhje e gojës) më shumë se 2-3 herë në ditë.
    • Është ftohur dhe nuk bëhet më mirë apo bëhet edhe më keq pas disa ditësh.
    • Ka skuqje të lëkurës.
    • Ka më pak se gjashtë pelena të lagëta gjatë 24 orëve. Kjo mund të jetë shenjë e dehidrimit (mospirja e mjaftueshme). Shenja të tjera të dehidrimit përfshijnë sytë e mbushur me ujë, pjesa e butë e kokës (fontanela) është zbutur shumë, apo foshnja nuk ka fare lot kur qanë.
    • Nga veshët i rrjedh lëng.
    • Kur kërthiza apo penisi është shumë i butë. Kontrolloni nëse ka skuqje, gjakderdhje apo qelb në këto pjesë.
    • Është më e zbehtë sesa zakonisht.
    • Është më pak aktive sesa zakonisht.

    Foshnja do të ketë teshtima dhe lemza të shpeshta gjatë javës së parë të jetës. Këto nuk janë shenja të sëmundjes por një refleks normal për foshnjat që të pastrojnë kanalet e frymëmarrjes.

    www.marchofdimes.com

  • A është normale të ndihem e mërzitur apo e nervozuar?

    A është normale të ndihem e mërzitur apo e nervozuar?

    Shumë gra kanë ndryshime të disponimit pas lindjes, mirëpo depresioni i pas-lindjes është më serioz.

    Ndryshimi i disponimit pas lindjes (Baby Blues):

    Ndryshimet hormonale, dhimbja nga lindja, mungesa e gjumit dhe të bërit nënë mund t’ju shkaktojnë gjendje më të luhatshme emocionale. Ju mund të jeni e lumtur në të shumtën e kohës, mirëpo ndonjëherë ju shumë lehtë mund të nervozoheni dhe të qani, të ndiheni e mërzitur apo e hutuar. Rreth 80% e nënave për herë të parë vuajnë nga kjo gjendje. Kjo gjendje fillon tre deri në pesë ditë pas lindjes dhe zgjatë për disa javë. Edhe pse kjo është gjendje mjaft e vështirë emocionale, ju nuk do të keni ndonjë problem fizik. Kjo gjendje zbutet dhe largohet me kalimin e kohës. Nëse kjo gjendje nuk kalon dhe ju keni përshtypjen që po bëheni më keq, është e mundur që ju vuani nga depresioni i pas-lindjes dhe keni nevojë për ndihmë.

    Depresioni pas-lindje:

    Depresioni i pas-lindjes është më i zakontë se sa e mendoni. Rreth 1 në 7 nëna të reja vuajnë nga kjo dukuri. Ky lloj depresioni shpesh fillon rreth 1-7 javë pas lindjes mirëpo mund të ndodh në çdo kohë gjatë vitit të parë. Simptomat mund të ndryshojnë mirëpo ato përfshijnë:

    • Ndjenja të zemërimit dhe nervozës.
    • Mungesë të interesit ndaj foshnjës.
    • Çrregullim të apetitit dhe gjumit.
    • Mërzi dhe vajtim.
    • Ndjenjë të fajësisë, turpit apo të qenit e pashpresë.
    • Humbje të interesit, kënaqësisë dhe gëzimit për gjëra që dikur ju pëlqenin.
    • Mendime të mundshme për ta lënduar veten apo foshnjën.

    Mos u brengosni, depresioni i pas-lindjes është i përkohshëm dhe i trajtueshëm. Nëse mendoni që po vuani nga kjo dukuri, kuptojeni që nuk është faji juaj, dhe ka gjëra që mund t’ju ndihmojnë ta tejkaloni dhe të shëroheni. Nëse mendoni që vuani nga depresioni i pas-lindjes, kontaktoni mjekun tuaj apo kontrollohuni në Qendrën tuaj më të afërt Beba-ks për t’u kontrolluar nga një specialist.

    Janë tri gjëra që mund t’i bëni vetë për t’u ndjerë më mirë:

    1. Qëndroni e shëndetshme dhe në formë:
      • Bëni çdo ditë ndonjë aktivitet. Dilni për shëtitje apo merruni me fitnes.
      • Hani ushqime të shëndetshme si fruta, perime, bukë nga drithëra të papërpunuara dhe mish pa dhjamë. Mundohuni të kufizoni ushqimet e njelmëta apo të ëmbla (edhe pse këto do t’i dëshironi më së shumti).
      • Pushoni sa më shumë që mundeni. Provoni të flini kur foshnja juaj fle.
      • Mos pini alkool. Alkooli është depresiv, që do të thotë që do të ulë funksionin e trupit tuaj dhe do t’ju bëjë të ndiheni edhe më keq.
      • Mos merrni droga të ndryshme. Këto do të ndikojnë në funksionimin e trupit tuaj dhe mund të shkaktojnë probleme me medikamentet që mund të jeni duke përdorur për depresionin e pas-lindjës.
      • Bëni çdo ditë ndonjë aktivitet. Dilni për shëtitje apo merruni me fitnes.
      • Hani ushqime të shëndetshme si fruta, perime, bukë nga drithëra të papërpunuara dhe mish pa dhjamë. Mundohuni të kufizoni ushqimet e njelmëta apo të ëmbla (edhe pse këto do t’i dëshironi më së shumti).
      • Pushoni sa më shumë që mundeni. Provoni të flini kur foshnja juaj fle.
      • Mos pini alkool. Alkooli është depresiv, që do të thotë që do të ulë funksionin e trupit tuaj dhe do t’ju bëjë të ndiheni edhe më keq.
      • Mos merrni droga të ndryshme. Këto do të ndikojnë në funksionimin e trupit tuaj dhe mund të shkaktojnë probleme me medikamentet që mund të jeni duke përdorur për depresionin e pas-lindjës.
    2. Kërkoni dhe pranoni ndihmë:
      • Mbani kontakt me njerëzit që i keni për zemër dhe që brengosen për ju. Tregoni partnerit, familjes dhe shoqërisë suaj se si ndiheni.
      • Ndani pak kohë për vetën tuaj. Kërkoni nga dikush që i besoni që të kujdeset për foshnjën tuaj ashtu që të mund të dilni nga shtëpia. Vizitoni ndonjë shok/shoqe apo bëni diçka që ju pëlqen. Planifikoni të kaloni pak kohë vetëm me partnerin tuaj.
      • Lejoni të tjerët t’ju ndihmojnë rreth shtëpisë. Kërkoni nga shoqëria apo familjarët të kujdesen për foshnjën, t’ju ndihmojnë me punët e shtëpisë apo bëjnë blerjen e gjërave të nevojshme për shtëpi. Mos keni frikë t’iu tregoni atyre për çka keni nevojë.
      • Bëhuni pjesë e një grupi për mbështetje online. Ju mund të merrni më shumë informacione dhe të flisni me ekspertë në Mbështetja Ndërkombëtare për Pas-lindje (Postpartum Support International) dhe Përparimi pas lindjes (Postpartum Progress) (që të dyja vetëm në gjuhën angleze).
    3. Zvogëloni stresin:
      • Bëni gjërat që ju pëlqenin t’i bënit para shtatzënisë suaj. Dëgjoni muzikë, lexoni një libër të mirë apo regjistroni ndonjë kurs.
      • Bëni gjërat që ju bënin të ndiheni më mirë për veten tuaj para shtatzënisë.
      • Mundohuni të mos bëni ndryshime të mëdha në jetën tuaj pikërisht pas lindjes së foshnjës. Këto përfshijnë ndërrimin e vendbanimit ose ndryshimin e punës. Ndryshimet e mëdha shkaktojnë stres për të cilin ju nuk keni nevojë.
      • Flisni me punëdhënësin tuaj për t’u rikthyer në punë. Ju ndoshta do të mund të punoni nga shtëpia apo të punoni me orar të shkurtë në fillim.

    Nëse këto ju ndihmojnë, shumë mirë! Vazhdoni t’i bëni pasi që nëse i ndalni, simptomat mund t’ju kthehen. Nëse këto gjëra nuk kanë përmirësuar simptomat tuaja brenda dy jave, ju duhet domosdoshmërisht të vizitoni një mjek apo të kontrolloheni në Qendrën tuaj më të afërt Beba-ks për t’u kontrolluar nga një specialist. Ju mund të keni nevojë për ndonjë terapi shtesë, duke përfshirë anti-depresiv me recetë të mjekut. Është shumë e rëndësishme të merrni seriozisht depresionin e pas lindjes pasi që mund t’ju vështirësojë kujdesin ndaj foshnjës si dhe do të bëhet edhe më keq nëse lihet pa u trajtuar. Nëse keni mendime për të lënduar foshnjën apo veten, vizitoni menjëherë një mjek.

    Si do të trajtojë mjeku depresionin e pas lindjes? Mjeku së pari do të ju bëjë disa pyetje për të përcaktuar nëse vuani nga ky depresion. Ai mund t’ju bëjë teste për të parë nëse keni ndonjë problem shëndetësor që mund të shpie në depresion të pas lindjes. Për shembull, ai mund të kontrollojë hormonet tiroide pasi që niveli i ulët i tyre mund të shkaktojë depresionin e pas lindjes. Sa më herët që e vizitoni mjekun, aq më mirë. Ju do të mund të filloni trajtimin, që t’ju bëjë të ndiheni më mirë, dhe t’ju mundësojë të kujdeseni si duhet për veten dhe foshnjën tuaj. Trajtimet që mund t’ju sugjerohen nga mjeku janë:

    • Seancat këshilluese, që poashtu quhen terapi. Kjo terapi bëhet kur ju flisni për ndjenjat dhe shqetësimet me ekspert të shëndetit mendor. Ata do t’ju ndihmojnë të kuptoni ndjenjat tuaja, të zgjidhni problemet dhe t’i përballoni sfidat e përditshme.
    • Ilaçet: Depresioni i pas-lindjes shpesh trajtohet me ilaçe, duke përfshirë 1) Anti-depresiv – disa kanë efekte anësore dhe mund të mos jenë të sigurtë nëse e ushqeni foshnjën me qumësht gjiri, prandaj flisni me mjekun për të vendosur nëse është e duhura për ju. 2) Estrogjen – ky hormon luan një rol të rëndësishëm në ciklin tuaj menstrual dhe shtatzëni, mirëpo konsultohuni me mjekun nëse e ushqeni foshnjën me qumësht gjiri.