Kategori: Shtatzënia

  • Stresi dhe shtatzënia

    Stresi dhe shtatzënia

    Gjatë periudhës së shtatzënisë, përveç ndryshimeve që pasojnë në familje, të njëjtën kohë vijnë ndryshimet edhe në trupin e gruas shtatzënë, duke përjetuar emocione të ndryshme në të njëjtën kohë. Shpesh herë ndodhë që ndryshimet emocionale të rrisin nivelin e stresit përgjatë kësaj periudhe.

    Shtatzënia është një kohë e shumë ndryshimeve. Trupi, emocionet tuaja dhe jeta e familjes suaj është duke ndryshuar. Ju mund të mirëprisni këto ndryshime, por ato mund të shtojnë strese të reja në jetën tuaj.

    Stresi është gjë e zakonshme gjatë shtatzënisë. Por, stresi i tepruar mund t’ju bëjë të mos ndiheni rehat. Stresi mund të shkaktojë probleme të gjumit, kokëdhimbje, humbje ose ndryshim të oreksit.

    Nivelet e larta të stresit që vazhdojnë për një kohë të gjatë mund të shkaktojë probleme shëndetësore, si tensioni i lartë i gjakut dhe sëmundje të zemrës. Kur ju jeni shtatzënë, ky lloj stresi mund të rrisë shanset e të pasurit një lindje të parakohshme (lindje para javës së 37-të të shtatzënisë) ose një fëmijë të lindur nën-peshë (peshon më pak se 2.5 kilogram). Foshnjat e lindura para kohe ose me peshë shumë të vogël mund të kenë probleme shëndetësore.

    Çfarë shkakton stresi gjatë shtatzënisë?

    Shkaqet e stresit janë të ndryshme për çdo grua, por këtu janë disa shkaqe të përbashkëta gjatë shtatzënisë:

    • Ju mund të përjetoni shqetësimet e shtatzënisë, si të vjellja, kapsllëk, lodhje apo dhimbje shpine.
    • Ndryshimet hormonale mund të shkaktojë ndryshim në disponimin tuaj. Ndërrimi i disponimeve mund ta bëjë më të vështirë menaxhimin e stresit.
    • Ju mund të jeni të shqetësuar për pritshmërinë tuaj gjatë procesit të lindjes apo se si do të kujdeseni për fëmijën tuaj.
    • Nëse punoni, ju mund të keni nevojë për të menaxhuar përgjegjësitë e punës dhe të përgatisni punëdhënësin tuaj për pushimin e paslindjes.
    • Jeta është e ngarkuar dhe nganjëherë merr kahje të papritura. Kjo nuk do të ndryshoj aspak vetëm për faktin se jeni shtatzënë.

    Çfarë lloje të stresit mund të shkaktojnë probleme të shtatzënisë?

    Stresi i përditshëm gjatë shtatzënisë, siç janë afatet e detyrave të punës dhe pritja në trafik, nuk shkaktojnë probleme të shtatzënisë.

    Megjithatë, lloje të rënda të stresit gjatë shtatzënisë mund të rrisin shanset tuaja për probleme të caktuara, si lindja e parakohshme. Shumica e grave që kanë stres konstant gjatë shtatzënisë mund të lindin foshnja të shëndetshme. Por jeni të kujdesshëm në qoftë se ju përjetoni lloje të rënda të stresit, si:

    • Ngjarje negative të jetës. Këto janë gjëra të tilla si divorci, sëmundje serioze ose vdekje në familje, apo humbja e punës ose shtëpisë.
    • Ngjarje e katastrofave. Këto janë gjëra të tilla si tërmetet, uraganet dhe sulmet terroriste.
    • Stresi afatgjatë. Ky lloj i stresit mund të shkaktohet nga probleme financiare, duke u keqtrajtuar, duke pasur probleme të rënda shëndetësore, ose të qenit në depresion. Depresioni është një gjendje mjekësore, ku ndjenjat e forta të trishtimit zgjasin për periudha të gjata kohore dhe parandalojnë një person për të pasur një jetë normale.
    • Shtatzënitë e lidhura me stresin. Disa gra mund të ndjejnë shumë stres në lidhje me shtatzëninë. Ato mund të jenë të brengosura për abort, shëndetin e fëmijës së tyre, ose për mënyrën se si ata do të përballen me fazat e lindjes ose të qenit prind. Nëse ju mendoni në këtë mënyrë, bisedoni me ofruesin e kujdesit tuaj shëndetësor.

    A ndikon çrregullimi i stresit post-traumatik në shtatzëni?

    Çrregullimi i stresit post-traumatik (PTSD) paraqitet kur ju keni probleme pasi që shihni apo përjetoni një ngjarje të tmerrshme, të tilla si përdhunimi, abuzimi, një fatkeqësi natyrore, një sulm terrorist ose vdekja e një njeriu të afërt.

    Njerëzit me Çrregullimin e Stresit Post-traumatik( PTSD) mund të kenë:

    • Ankthe të rënda
    • Parafytyrime të ngjarjes
    • Ëndrra të këqija
    • Reagime fizike (si rrahje të shpejta të zemrës ose djersitje) kur kujtohet ngjarja.

    8 në 100 femra (8 %) mund të kenë PTSD gjatë shtatzënisë. Gratë që kanë PTSD mund të kenë më shumë gjasa se sa femrat pa PTSD për të pasur një lindje të parakohshme apo lindje me foshnje nën peshë. Ato gjithashtu kanë më shumë gjasa se sa gratë e tjera për të pasur sjellje të rrezikshme shëndetësore, të tilla si pirja e duhanit, pirja e alkoolit ose konsumimi i drogës. Këto veprime mund të rrisin shanset e të pasurit probleme gjatë shtatzënisë. Nëse mendoni se mund të keni PTSD, bisedoni me ofruesin tuaj shëndetësor ose një profesionist të shëndetit mendor.

    Si shkakton stresi probleme të shtatzënisë?

    Ne nuk i kuptojmë plotësisht efektet e stresit në shtatzëni. Por hormonet që lidhen me stres mund të luajnë rol në shkaktimin e komplikimeve të caktuara gjatë shtatzënisë. Strese serioze ose afatgjate mund të ndikojë në sistemin tuaj të imunitetit, e cila ju mbron nga infeksionet. Kjo mund të rrisë shanset e shkaktimit të një infeksioni të mitrës. Ky lloj i infeksionit mund të shkaktojë lindje të parakohshme.

    Stresi mund të ndikojë në mënyrën se si ju reagoni në situata të caktuara. Disa gra menaxhojnë stresin duke konsumuar duhanin, alkoolin ose drogën, e cila mund të shkaktojë probleme gjatë shtatzënisë.

    Nivelet e larta të stresit në shtatzëni, a mund të dëmtojnë fëmijën tuaj më vonë në jetë?

    Disa studime tregojnë se nivelet e larta të stresit në shtatzëni mund të shkaktojnë probleme të caktuara gjatë fëmijërisë së bebes tuaj, si për shembull, probleme për të kushtuar vëmendje ose të qenit të frikësuar. Është e mundur që stresi mund të ndikojë edhe në zhvillimin e trurit të fëmijës tuaj ose në sistemin imunitar.

    Si mund të zvogëloni stresin gjatë shtatzënisë?

    Këtu janë disa mënyra për të reduktuar stresin:

    • Kuptoni se çfarë është duke ju bërë të stresuar dhe bisedoni me partnerin tuaj, një mik apo ofruesin tuaj të kujdesit shëndetësor në lidhje me të.
    • Mos harroni, shqetësimet e shtatzënisë janë vetëm të përkohshme. Pyesni ofruesin tuaj se t’i trajtoni këto shqetësime.
    • Qëndroni në një peshë dhe mendje të shëndetshme. Hani ushqime të shëndetshme, bëni gjumë të mjaftueshëm dhe ushtrime (me pëlqimin e mjekut tuaj). Ushtrimi mund të ndihmojë në uljen e stresit si dhe ndihmon në parandalimin e shqetësime të zakonshme të shtatzënisë.
    • Ndaloni aktivitetet që ju nuk duhet t’i bëni.
    • Duhet të keni një grup mbështetës të mirë, duke përfshirë partnerin, familjen dhe miqtë tuaj. Pyesni ofruesin tuaj shëndetësor rreth burimeve në komunitet që mund të jenë në gjendje t’ju ndihmojnë.
    • Kërkoni ndihmë nga njerëzit që besoni. Prano ndihmë kur ata ofrojnë. Për shembull, ju mund të keni nevojë për ndihmë rreth pastrimit të shtëpisë, ose mund të dëshironi që dikush të shkojë me ju në vizitat tuaja të paralindjes.
    • Provoni aktivitete të relaksimit, si yoga e paralindjes ose meditimi.
    • Merrni pjesë në klasat për nëna (ku mësoni edhe për përgatitjen psikofizike për lindje) në mënyrë që të dini se çfarë të prisni gjatë shtatzënisë dhe kur fëmija juaj lind. Praktikoni teknikat e frymëmarrjes dhe relaksimit që mësoni në klasën tuaj për nëna.
    • Nëse jeni duke punuar, planifikoni me punëdhënësin tuaj se si t’i organizoni punët e papërfunduara, në mënyrë që të merrni pushimin e lehonisë ashtu siç ju takon me ligj.
    • Në qoftë se mendoni se mund të jeni në depresion, bisedoni me mjekun tuaj familjar menjëherë. Ka shumë mënyra për t’u marrë me depresionin. Duke marrë trajtime dhe këshillime të hershme mund t’ia dilni mbanë.

    Source: www.marchofdimes.org

  • Si ta planifikoni pushimin e lindjes?

    Si ta planifikoni pushimin e lindjes?

    Shumë gra punojnë gjatë shtatzënisë, disa prej të cilave deri në ditën e fundit të lindjes. Këtu janë disa gjëra që ju mund t’i bëni për ta ndihmuar veten tuaj me krijimin e kushteve më të mira të punës, gjatë periudhës së shtatzënisë.

    Kur është koha më e mirë për t’i treguar punëdhënësit tuaj se jeni shtatzënë?

    Ju jeni ajo që do të vendosni se kur duhet ta kuptojnë të tjerët se ju jeni shtatzënë. Disa gra presin deri pas tremujorit të parë, kur rreziku i abortit është më i ulët, ndërsa një pjesë tjetër nuk mund të presin për ta ndarë lajmin me të tjerët.

    Çfarëdo që ju zgjidhni, këtu mund të gjeni disa ide që mund t’ju ndihmojnë në raport me punëdhënësin tuaj.

    • Sigurohuni që punëdhënësi juaj, ta kuptoj lajmin e shtatzënisë tuaj, nga ju dhe jo nga të tjerët.
    • Është më mirë që punëdhënësi juaj të jetë i informuar për shëndetin/gjendjen e secilit punëtor.

    Njoftoni me kohë për periudhën e pushimit dhe kujdesit të nevojshëm të para lindjes. Është më se e rëndësishme që t’i bëni të gjitha vizitat e nevojshme tek mjeku juaj për t’u siguruar që ju dhe fryti juaj jeni të shëndetshëm gjatë nëntë muajve të shtatzënisë. Provoni të mos humbisni punë për vizita mjekësore.

    Nëse ju punoni me kimikate të forta ose bartjen e gjësendeve me peshë të rëndë, atëherë ju duhet të kërkoni nga punëdhënësi juaj për ndryshimin e përgjegjësive tuaja të punës gjatë periudhës së shtatzënisë. Është e rëndësishme të qëndroni të shëndetshëm dhe të sigurt në punë, sidomos gjatë shtatzënisë.

    Pushimi i lindjes është koha që ju merrni pushim nga puna kur keni një fëmijë. Kur mendoni për pushim të lindjes, pyesni veten këto pyetje:

    1. Kur planifikoni për të filluar pushimin tuaj? A mendoni se do të punoni deri në datën e lindjes? Ose a do t’a ndalni punën disa ditë apo javë para lindjes së fëmijës tuaj?
    2. Sa kohë keni ndërmend të qëndroni në shtëpi me fëmijën tuaj pas lindjes? A ju duhet të ktheheni në punë menjëherë? Sa kohë mund të përballoni për të qëndruar në shtëpi pa punuar?

    Ju mund të keni ide se si doni që pushimi juaj i lindjes të jetë, por nevojat tuaja mund të ndryshojnë gjatë shtatzënisë. Shtatzënia, dhe procesi i lindjes shkon pa probleme për shumicën e grave. Por ju mund të keni nevojë për të ndryshuar kohën e pushimit nëse keni komplikime të shtatzënisë apo nëse gjërat nuk shkojnë siç janë planifikuar.

    Sipas Aktit të Familjes dhe Pushimit Mjekësor (i quajtur edhe FMLA), punonjësit mund të marrin pushim pa pagesë për çështje familjare dhe të shtatzëninë që kanë të bëjnë me shëndetin. Ju mund të merrni deri në 12 javë pushim pa pagesë në vit. Mund të mbani sigurimin tuaj shëndetësor gjatë pushimit nëse ju:

    • Punoni në një vend ku punëdhënësi juaj ka 50 ose më shumë punëtor brenda 120 kilometrave
    • Keni punuar për punëdhënësin tuaj të paktën 12 muaj
    • Keni punuar të paktën 1,250 orë pune gjatë 12 muajve të fundit

    Përveç pushimit FMLA, punëdhënësi juaj mund të ketë politikat e veta të pushimit të lindjes. Bisedoni me shefin tuaj ose ndonjë nga burimet njerëzore (e quajtur edhe HR). Kjo është një ide e mrekullueshme për të bërë para se të jeni shtatzënë, nëse mundeni. Pyetni këto pyetje:

    • A ofron punëdhënësi juaj pushim të paguar të lindjes? Disa punëdhënës ofrojnë pushim të lindjes të paguar për foshnjën tuaj. Bisedoni me dikë nga HR për të shikuar keni pushim të paguar të lindjes.
    • A vazhdon sigurimi juaj shëndetësor gjersa ju jeni në pushim të lindjes? Sigurimi shëndetësor ju ndihmon të paguani kujdesin mjekësor. Nëse ju merrni sigurimit tuaj shëndetësor nëpërmjet punëdhënësit tuaj, personi juaj HR mund të ju tregojë se çka mbulon plani juaj i sigurimit. Ju mund të keni nevojë për të ndryshuar planin tuaj shëndetësor pasi fëmija juaj është i lindur për të siguruar që ai është i mbuluar nga sigurimi gjithashtu.
    • A ofron punëdhënësi juaj kohë fleksibile ose punë prej shtëpisë për kohën kur jeni gati të shkoni përsëri në punë? Për shembull, a mund të punoni më pak orë çdo javë ose të punoni nga shtëpia në fillim? Dhe pastaj të rrisni orët tuaja ose kohën në zyrë pak nga pak brenda disa javëve?
    • A ka programe apo shërbime të tjera që punëdhënësi juaj ofron për nënat e reja? Nëse jeni duke ushqyer me gji, shikoni nëse punëdhënësi juaj ka një dhomë për të dhënë gji. Kjo është një hapësirë private (jo një tualet) që ju mund të përdorni për të ushqyer me gji. Punëdhënësit me më shumë se 50 punëtor duhet të sigurojnë këtë hapësirë për të nënat në gji. Gjithashtu, shikoni nëse punëdhënësi juaj ka një program për ndihmë të punëtorëve (e quajtur edhe EAP). Një EAP mund të ndihmojë të ju lidhë me profesionistë si këshilltar, ofrues për kujdes të fëmijëve dhe këshilltar të gjidhënies. Një këshilltar i laktacionit është një person me trajnim të veçantë për të ndihmuar gratë në gji, madje edhe gratë që mund të kenë probleme të posaçme në gji.

    Bisedoni me shefin tuaj rreth pushimit të lindjes para datës së lindjes. Flisni për mënyra të menaxhimit të përgjegjësive të punës gjersa jeni në pushim të lindjes. Nëse keni projekte të ardhshme, mendoni se sa ju mund të përfundoni para lindjes së fëmijës tuaj. Ju mund të krijoni një listë të gjërave për të bërë ose një grup të udhëzimeve në mënyrë që obligimet tuaja të punës të jenë të menaxhuara gjersa ju nuk jeni aty.

    Akti i Diskriminimit për Shtatzëni thotë se punëdhënësit nuk mund të diskriminojë në bazë të shtatzënisë, lindjes apo gjendjeve tjera të ngjashme shëndetësore. Pra, nëse ju jeni shtatzënë ose jeni të ndikuar nga gjendje shëndetësore që ndërlidhen me shtatzëni, punëdhënësi juaj duhet të ju trajtoj ashtu si çdo punëtor tjetër me gjendje të ngjashme.

    Source: www.marchofdimes.org

  • Shëndeti dhe siguria në punë gjatë shtatzënisë

    Shëndeti dhe siguria në punë gjatë shtatzënisë

    Shumica e grave që punojnë mund të vazhdojnë të punojnë gjatë shtatzënisë së tyre. Disa gra do të punojnë deri në fund të muajit të nëntë të shtatzënisë.

    Mirëpo gjatë shtatzënisë nëse jeni duke punuar, mund të hasni në disa sfida. Duke qëndruar të sigurt dhe rehatshëm në vendin e punës, larg aktiviteteve të rrezikshme, ju mund të keni një shtatzëni të shëndetshme edhe pse punoni.

    Si mund t’i menaxhoni shqetësimet e zakonshme të shtatzënisë në punë?

    Gjatë shtatzënisë, sidomos në tremujorin e parë, ju mund ta keni të vështirë për të menaxhuar shqetësimet e zakonshme të shtatzënisë, gjersa jeni në punë. Këtu janë disa këshilla:

    Të përziera/vjellja apo sëmundja e mëngjesit

    Edhe pse ato quhen të përziera të mëngjesit, të përziera gjatë shtatzënisë mund të ndodhin në çdo kohë gjatë ditës. Ndiqni këto këshilla për të ndihmuar në lehtësimin e të përzierave të mëngjesit.

    • Shmanguni prej erërave ose ushqimeve që ju bezdisin.
    • Ushqehuni me biskota apo ushqime të tjera që janë të lehta dhe kanë yndyrë të ulët (për shembull: oriz, tost, dhe salcë molle).
    • Provoni të hani 5-6 vakte të vogla gjatë ditës në vend të tre vakteve të mëdha.
    • Pini shumë lëngje gjatë ditës.
    • Pushoni mirë dhe merreni shtruar në mëngjes.

    Lodhja

    Ka mundësi që ndiheni më të lodhur se zakonisht, sidomos gjatë shtatzënisë së hershme dhe të vonë. Për të sfiduar lodhjen dhe të vazhdoni ditën mbarë:

    • Pushoni shpesh; qohuni dhe ecni për disa minuta ose provoni për të marrë një sy gjumë të shkurtër për energji gjatë pushimit tuaj të drekës.
    • Shkoni për të fjetur herët në mënyrë që të pushoni.
    • Ushtroni kurdo që mundeni; do t’ ju ndihmojë të keni më shumë energji gjatë ditës.
    • Pini shumë lëngje gjatë ditës, por lehtësojini ato para se të shkoni për të fjetur në mënyrë që mos të zgjoheni natën për të shkuar në banjë.
    • Hani ushqime të shëndetshme, sidomos ushqime që janë të pasura me hekur dhe proteina.
    • Relaksohuni dhe mundohuni të largoheni nga situatat stresuese.

    Si mund të mbani një mjedis të sigurt pune?

    Është e rëndësishme që ambienti rreth jush të jetë i sigurt për ju dhe fëmijën.

    Substanca të rrezikshme

    Bisedoni me mjekun tuaj, nëse ju punoni me:

    • Metale (si merkuri apo plumbi)
    • Produktet që përmbajnë shumë kimikate (si produkte të caktuara të pastrimit, pesticideve apo gazrave)
    • Mbeturina radioaktive, rrezatimi apo substanca të tjera të rrezikshme (si drogë për të trajtuar kancerin apo fotografimet me rëntgen X)

    Duke qenë në kontakt me këto lloje të gjërave pa pajisje të duhura të sigurisë (doreza, mantila dhe maska) mund të shkaktojë defekte të lindjes, abortim të paqëllimshëm apo probleme të tjera shëndetësore serioze. Përshkruani ambientin tuaj të punës mjekut tuaj dhe çdo pajisje të sigurisë që ju ose kompania juaj përdor. Mjeku juaj pastaj mund të tregojë nëse është e sigurt për që të vazhdoni të punoni gjatë shtatzënisë.

    Nxehtësia

    Gjithashtu, bisedoni me mjekun tuaj shëndetësor nëse punoni në vende ku është shumë nxehtë. Duke punuar në vende ku është shumë nxehtë mund të rrisni temperaturën e trupit tuaj. Nëse temperatura e trupit tuaj është shumë e lartë, mund të jetë e rrezikshme për fëmijën.

    Infeksionet

    Punët ku duhet punuar me fëmijët, ose në një mjedis të kujdesit shëndetësor kanë më shumë gjasa t’ju vënë në kontakt me njerëz të tjerë që janë të sëmurë. Disa prej këtyre sëmundjeve (si lija e ujit, rubeola, gripi) mund të jetë shumë të dëmshme për ju gjatë shtatzënisë. Duhet të ndërmerrni hapa shtesë për të qenë të sigurt. Sigurohuni që t’i pastroni duart rregullisht. Nëse mendoni se ju dhe shëndeti i fëmijës tuaj mund të jetë në rrezik, bisedoni me mjekun tuaj menjëherë.

    Punë me detyra të rënda

    Disa punë mund të përfshijnë më shumë punë fizike se të tjerat. Për shembull, në qoftë se puna juaj përfshin ngritje të rëndë të peshave apo ngjitje lart, atëherë nuk mund të jetë e sigurt për ju gjatë shtatzënisë. Në fillim të shtatzënisë, vjellja, lodhja dhe marramendja mund ta bëjnë të vështirë për t’i bërë këto punë në mënyrë të sigurt. Më vonë në shtatzëni, pesha e juaj e shtuar mund të pengojë në mbajtjen e balancit dhe të shkaktoj më shumë gjasa që të bini poshtë dhe të dëmtoni veten. Bisedoni me punëdhënësin tuaj për marrjen e përgjegjësive tjera të punës gjatë shtatzënisë.

    Nëse keni nevojë për të ngritur ndonjë send, ndiqni këto këshilla:

    • Vendosni këmbët tuaja në distancë të njëjtë me krahët.
    • Përkuluni në gjunjë, por mbani shpinën drejt.
    • Përdorni krahët dhe këmbët. Ngriti me duart tuaja (jo shpinën) dhe shtyni me këmbët tuaja.
    • Kur është e mundur, zvogëlojeni peshën e objektit (për shembull, ndajeni përmbajtjen e një kutie në dy ose tre kuti të vogla)

    Duke qëndruar në këmbë për periudha të gjata kohore mund të shkaktoni disa shqetësime. Kjo ndodh për shkak të gjakut që mblidhet në këmbët tuaja, e cila mund të çojë në marramendje, lodhje dhe dhimbje të shpinës. Kur qëndroni në këmbë:

    • Vendosni një këmbë në një vend/kuti ku mund të pushoj këmba.
    • Pushoni të dyja këmbët (herë njërën, herë tjetrën) gjatë ditës.
    • Vishni këpucë të rehatshme.

    Kompjuterët dhe tavolinat

    Shumica e vendeve të punës në këto ditë përfshijnë përdorimin e kompjuterit dhe të qenit ulur në tavolinë për shumicën e ditës. Disa gra që bëjnë këto punë mund të ketë shqetësime të dorës, dhimbje të qafës dhe të supeve, dhimbje të shpinës dhe lodhje të syve. Për të ndihmuar shmangien e këtyre dhimbjeve, ndiqni këto këshilla:

    • Merrni pushime të shkurtra shpesh dhe të ecni rreth zyrës tuaj apo ndërtesës.
    • Rregulloni karrigen tuaj, tastierën dhe pajisjet tjera të zyrës që të jenë më të rehatshme.
    • Përdorni një jastëk të vogël ose jastëk për mbështetje në pjesën e poshtme të shpinës.
    • Mbajini këmbët tuaja ngritur duke përdorur një mbështetëse për këmbë.
    • Sigurohuni që të përdorni pozicionet e duhura për duar dhe krah për të shtypur.
    • Përdorni një ekran të mbuluar me xham jo-reflektues në monitorin e kompjuterin tuaj.
    • Rregulloni ndriçimin e monitorit të kompjuterit dhe përshtateni në mënyrën që është e rehatshme për sytë tuaj.

    A është e sigurt për të udhëtuar për punë gjatë shtatzënisë?

    Puna juaj mund të kërkojë udhëtim të biznesit. Edhe pse është e sigurt për shumicën e grave për të udhëtuar gjatë shtatzënisë, bisedoni me mjekun tuaj përpara se të bëni ndonjë vendim për udhëtim larg nga shtëpia. Pyetni nëse ndonjë gjendje shëndetësore që ju keni, mund të bëjë udhëtimin gjatë shtatzënisë të pasigurt.

    Gjithashtu, merrni parasysh vendin ku ju do të udhëtoni.

    • Siguroni që mbani një kopje të dhënave tuaja mjekësore në rast emergjence.
    • Mësoni më shumë për llojin e kujdesit mjekësor që është në dispozicion, dhe në qoftë se sigurimi juaj shëndetësor do të mbulojë kujdesin mjekësore në destinacionin tuaj.
    • Shikoni nëse ushqimi dhe uji në destinacionin tuaj janë të sigurta.
    • Pyesni mjekun tuaj, nëse ka ndonjë vaksinim që do ju duhet para se të shkoni.

    Udhëtimet ajrore

    Kolegji Amerikan për Gjinekologji dhe Obstetrikë (ACOG) ju siguron grave shtatzëna që udhëtimi ajror është i sigurt për ato. Për sa kohë që shtatzënia e një gruaje është e shëndetshme dhe pa komplikime, është e sigurt për të, që të udhëtojë me aeroplan. Shumica e linjave ajrore lejojnë gratë që janë deri në javën e 36 të shtatzënisë të udhëtojnë, por është ide e mirë që paraprakisht të konsultoheni edhe një herë me kompaninë tuaj të udhëtimit.

    Nëse jeni shtatzënë dhe jeni duke planifikuar udhëtime ajrore, ndiqni këto këshilla:

    • Vishni veshje të rehatshme dhe të lirshme. Do të ishte ide e mirë të vishni çorapë për shtatzëna.
    • Nëse nuk ka turbulence dhe është sigurt për të lëvizur në kabinën e avionit, bëni një shëtitje lart dhe poshtë çdo disa orë. Kjo mund të ndihmojë në përmirësimin e qarkullimit tuaj të gjakut dhe për të shmangur rrezikun e koagulimit të gjakut.
    • Pini shumë ujë, por duhet t’i shmangeni pijeve dhe ushqimeve që mund t’ju shkaktojnë gazra. Gazi në barkun tuaj zgjerohet në lartësi të larta, duke ju shkaktuar parehati dhe shqetësime.
    • Gjithmonë mbani rripin e sigurimit kur jeni ulur për të shmangur dëmtimet në rast të trazirave.

    Kur bëni plane për udhëtime ajrore, provoni të merrni një vend në anën afër korridorit në mënyrë që mos të kaloni mbi pasagjerët e tjerë për të shkuar në banjë. Gjithashtu, provoni për t’u ulur në pjesën e përparme të avionit, ku gjatë udhëtimit ndjeheni më qetë dhe më mirë.

    • Nëse jeni duke përjetuar të përziera gjatë shtatzënisë, mund të merrni një ilaç për anti-përzierje para se të hipni në aeroplan. Bisedoni me ofruesin tuaj shëndetësor për medikament që është sigurt të përdoret gjatë shtatzënisë.
    • Nëse keni shqetësime të rënda, duhet t’i njoftoni stjuardesën e fluturimit dhe të kontaktoni me mjekun tuaj menjëherë.

    Udhëtimet me makinë

    Nëse jeni shtatzënë dhe do të udhëtoni me makinë, ndiqni këto këshilla:

    • Sigurohuni që keni vënë rripin e sigurimit si duhet.
    • Udhëtimet me makinë mund të jenë të mundimshme për të gjithë. Mundohuni për të kufizuar vozitjen për jo më shumë se 5-6 orë në ditë.
    • Asnjëherë nuk duhet të fiken qeset e ajrit (airbag) në qoftë se automjeti juaj i ka ato. Në vend të kësaj, modifikoni ulësen e makinës tuaj dhe lëvizni sa më larg nga instrumente e makinës (instrumentabllat) ose timoni.
    • Nëse ju jeni në një aksident, merrni trajtim menjëherë për të mbrojtur veten dhe fëmijën tuaj.
    • Telefononi mjekun tuaj menjëherë në qoftë se keni kontraksione, dhimbje në bark, gjak ose sekrete që dalin nga vagina.

    Burimi: www.marchofdimes.org

  • Problemet me gjumin

    Problemet me gjumin

    Pothuajse të gjitha gratë shtatzëna kanë probleme të llojeve të ndryshme me gjumin. Këto probleme mund të përfshijnë:

    • Vështirësi për të fjetur
    • Gjumi nuk është çlodhës
    • Gjumi ndërprehet disa herë gjatë natës
    • Problem për ta kthyer gjumin

    Shkaqet e vështirësive të gjumit gjatë shtatzënisë

    Shtatzënia e hershme

    Një numër i problemeve mund të kontribuojnë në pagjumësinë tuaj gjatë shtatzënisë. Në shtatzëninë e hershme:

    • I njëjti hormon i shtatzënisë që shkakton lodhje gjatë ditës mund të ndërpresë ciklin tuaj të gjumit gjatë natës.
    • Ju mund të keni vështirësi në gjetjen e një pozicion të rehatshëm për të fjetur.
    • Ju mund të zgjoheni disa herë gjatë natës për të urinuar.

    Shtatzënia më e vonshme

    Gjersa shtatzënia juaj vazhdon, probleme prej llojeve të ndryshme mund të prishin gjumin tuaj.

    • Me rritjen e madhësisë së barkut tuaj, ju mund të keni vështirësi për gjetjen e një pozite të rehatshme.
    • Ankthi dhe stresi mund të kontribuojë gjithashtu në pagjumësi, veçanërisht kur data e lindjes tuaj afrohet.

    Probleme të tjera që kontribuojnë në siklet dhe pagjumësi përfshijnë:

    • Dhimbja e shpinës
    • Zënia e hundëve
    • Gazrat
    • Urinimi i shpeshtë
    • Dhimbje gjoksi
    • Hemorroide
    • Ngërçi
    • Të përziera

    Çfarë mund të bëni

    Këtu janë disa këshilla për t’ju ndihmuar të merrni pushim të mjaftueshëm:

    • Bëni një dush të ngrohtë në kohën e gjumit.
    • Mos harroni se ndjenja juaj e balancit nuk është stabile gjatë shtatzënisë. Kini kujdes të mos rrëshqisni në një vaskë të lagur!
    • Asnjëherë mos bëni dush në qoftë se mendoni se uji juaj ka plasur.

    Zvogëloni stresin

    • Mundohuni të mos e vendosni veten në situata stresuese.
    • Ushtrime të relaksimit, frymëmarrje të thellë ose thjesht duke mbyllur sytë tuaj dhe duke imagjinuar një skenë paqësore, mund të ndihmojë.

    Bëni një sy gjumë

    • Bëni një sy gjumë kur të mundeni gjatë ditës.
    • Kjo mund t’ju ndihmojë për të shmangur lodhjen e tepërt, veçanërisht në qoftë se ju e keni të vështirë për të bërë një gjumë qetësues gjatë natës.

    Shmanguni prej fjetjes në shpinë

    • Kjo pozitë e vë peshën e plotë të mitrës tuaj në shpinë dhe në venën kryesore që mbart gjakun mes pjesës së poshtme të trupit tuaj dhe zemrës.
    • Duke fjetur në shpinë, ju mund të rrisni shanset tuaja për dhimbje të shpinës. Ajo gjithashtu mund të përkeqësojë problemet e tretjes, shtrëngime të gjoksit dhe hemorroide.
    • Mësohuni për të fjetur anash, sidomos në anën tuaj të majtë. Ky pozicion mund të përmirësojë qarkullimin e gjakut dhe të ndihmojë në zvogëlimin e ënjtjeve në këmbët tuaja.

    Përdorni jastëk

    • Vendosni një jastëk në mes të këmbëve tuaja.
    • Përdorni më shumë jastëk për të mbështetur shpinën dhe barkun.
    • Nëse vuani nga frymëmarrja e shkurtër apo ngushtimi i gjoksit, përdorni jastëk për të quajtur pjesën e sipërme të trupit tuaj.

    Bëni dhomën tuaj më të rehatshme

    • Mos shikoni televizor ose lexoni në shtrat.
    • Përdorni shtratin tuaj vetëm për të fjetur.
    • Sigurohuni që dhoma është në një temperaturë të përshtatshme.
    • Dëgjoni disa tinguj relaksues, për t’ju ndihmuar me gjumin.

    Flini më herët

    • Ju mund të keni nevojë të flini më herët se zakonisht, veçanërisht në qoftë se zgjoheni disa herë gjatë natës.
    • Shkoni për të fjetur kur ndjeheni të lodhur. Mos e shtyni veten për të qëndruar zgjuar deri në kohën e gjumit tuaj të zakonshëm.

    Shmanguni ecjes gjatë natës

    • Pini lëngje të mjaftueshme gjatë ditës së hershme, por mos pini asgjë dy ose tre orë para gjumit. Kjo do të zvogëlojë numrin e rasteve që ju duhet për të urinuar gjatë natës.
    • Nëse jeni të shqetësuar shpesh nga shtrëngimi i gjoksit, hani ushqimin tuaj të fundit të ditës disa orë para se të shtriheni ose para se të shkoni për të fjetur.
    • Për të parandaluar ngërçet e këmbëve gjatë natës, butësisht zgjatini muskujt e këmbëve para gjumit.

    Ushtrimi

    • Vetëm nëse ofruesi i kujdesit shëndetësor ka këshilluar kundër kësaj, bëni të paktën 2 -1/2 orë ushtrime aerobike çdo javë. Kjo do të thotë se shumica e grave shtatzëna duhet të përpiqen për të bërë 30 minuta ushtrime aerobike çdo ditë.
    • Edhe ushtrimet e lehta, si ecja, mund të ju ndihmojnë të flini më mirë.
    • Gjithmonë duhet të siguroheni me mjekun tuaj se cilat ushtrime janë të sigurta për ju dhe sa kohë ju mund të vazhdoni me programin tuaj të ushtrimeve.

    Mos përdorni medikamente për gjumë.

    • Gjithmonë flisni me mjekun tuaj para se të merrni ndonjë bari/medikament.

    Kur duhet të bisedoni me mjekun/ofruesin e kujdesit tuaj shëndetësor

    Bisedoni me ofruesin e kujdesit tuaj shëndetësor nëse pagjumësia juaj zgjat një kohë të gjatë ose nëse vazhdon të rritet. Nëse ankthi dhe stresi janë duke kontribuuar në pagjumësi, ofruesi juaj mund të jetë në gjendje për të sugjeruar grupe mbështetëse dhe burime të tjera që mund të ndihmojnë.

    Source: www.marchofdimes.org

  • Shtimi i peshës në mënyrë të shëndetshme

    Shtimi i peshës në mënyrë të shëndetshme

    Mesatarisht, nënat shtojnë 10-12kg gjatë shtatzënisë; 0.5-2kg në tremujorin e parë, rreth 5kg në tremujorin e dytë, dhe rreth 5kg në tremujorin e tretë. Është më së miri që ju të shtoni në peshë në mënyrë të ngadalshme dhe të qëndrueshme. Mos u brengosni nëse ju shtoni më shumë apo më pak sesa që ju mendoni se duhet të shtoni gjatë ndonjë jave. Ju mund të keni disa periudha kur ju do shtoni më shumë peshë brenda një kohe të shkurtër, dhe pastaj të vazhdoni me ritme normale. Edhe pse mund të ndodhë që të mos dëshironi të shtoni shumë në peshë gjatë shtatzënisë, mos u mundoni të humbni peshë gjatë kësaj periudhe.

    Shumica e grave shtatzëna kanë nevojë për vetëm 300 kalori shtesë në ditë. Ndiqni këto këshilla për të planifikuar vaktet tuaja ashtu që të jenë të shëndetshme dhe t’ju ndihmojnë të fitoni peshën e duhur gjatë kohës që jeni shtatzënë:

    1. Çdo vakt i juaji duhet të përmbajë ushqim nga të pesë kategoritë e kësaj piramide të ushqimit (shih figurën).</li>
    2. Zgjedhni bukën dhe pastat me drithë të pa përpunuar, qumësht me nivel të ulët të yndyrës dhe mish pa dhjamë si ai i pulës, derrit dhe peshk. Çdo javë hani 225-350gr mish që përmban nivel të ulët të merkurit.
    3. Sigurohuni që pjata juaj të përmbajë sa më shumë lloje të frutave dhe perimeve. Sigurohuni që së paku gjysma e pjatës suaj të jetë e mbushur me fruta dhe perime.
    4. Planifikoni të hani katër deri në gjashtë shujta të vogla në ditë në vend të tri shujtave më të mëdha. Kjo do t’ju ndihmojë të mënjanoni urthin (thartirën në bark) dhe shqetësimet që mund të ndjeni përderisa foshnja vazhdon të rritet.
    5. Sigurohuni që të mos hani më tepër se sa një pjatë, në këtë mënyrë do të hani më pak dhe më shpesh.
    6. Pini gjashtë deri në tetë gota ujë në ditë.
    7. Merrni vitaminat tuaja të shtatzënisë çdo ditë. Ky lloj i multivitaminave është i përgatitur enkas për gratë shtatzëna.