Në Beba-ks do të gjeni faktet që mund t’i përdorni për të marrë vendimet e duhura për ju dhe familjen tuaj. Në portalin tonë nuk do të gjeni mendime dhe thashetheme, mirëpo do të gjeni informacione nga burimet më të sigurta në Kosovë dhe botë. Beba-ks është i vetmi portal i këtij lloji, që ofron këshilla në tri gjuhë dhe është i përshtatur posaçërisht për eksperiencën tuaj në Kosovë. Misioni ynë është t’ju ndihmojmë që të keni eksperiencën më të mirë gjatë shtatzënisë, lindjes së foshnjës dhe të qenit prindër, dhe gjatë këtij procesi të shpëtojmë jetë.
Kosova vazhdon të ketë ndër normat më të larta të vdekjes së foshnjave dhe nënave në krahasim me vendet e tjera në Ballkan dhe Evropë. Norma e vdekshmërisë së foshnjave në Kosovë është të paktën dyfishi i asaj në shtetet fqinje. Një ndër arsyet kryesore është mungesa e informatave dhe përkrahjes së duhur të grave gjatë shtatzënisë, lindjes së foshnjës si dhe kujdesit për të.
Aksioni për Nëna dhe Fëmijë (AMC), një OJQ lokale, ka qenë prijëse në përpjekjet për të përmirësuar shëndetin e nënave dhe fëmijëve në Kosovë që nga viti 2009. AMC ka krijuar Qendrat Informuese për Shëndetin e Gruas, të njohura si Klasat për Nëna, për të ofruar informacion pa pagesë për gratë shtatzëna dhe nënat e reja. Ne synojmë të përmirësojmë shëndetin e grave dhe fëmijëve të tyre duke fuqizuar pacientët dhe ofruesit e shërbimeve në drejtim të rritjes së kualitetit dhe marrjen e përbashkët të vendimeve, këto dy koncepte janë vërtetuar të kenë zvogëluar shkallën e vdekshmërisë së nënave dhe fëmijëve në gjithë botën.
Qendrat tona kanë mbështetjen e të gjitha niveleve të sektorit të shëndetësisë në Kosovë. Iniciativa jonë ka mbështetje të madhe nga Ministria e Shëndetësisë, Komunat dhe Drejtoritë e Shëndetësisë nëpër komuna, si dhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë me zyre në Prishtinë. Një komitet këshillues i përbërë nga gjinekologë, mjekë obstetër dhe pediatër/mjekë fëmijësh, nga më të mirët, rishikojnë klasat që mbahen në këto Qendra dhe materialet në portalin Beba-ks. Kuadro të përbëra nga mami, infermiere dhe mjekë ndajnë kohë për të punuar në qendrat tona çdo javë, klikoni këtu për të lexuar më shumë.
Ekzistojnë shtatë Qendra që gjinden rreth Kosovës, kryesisht të vendosura në Qendrat e Mjekësisë Familjare. Këshillimet individuale dhe grupore ofrohen brenda këtyre Qendrave, në një dhomë të ndritshme, shumëngjyrëshe, të rehatshme dhe private. Pjesëmarrësve iu ofrohen kurse praktike për të ushqyerit e foshnjës dhe nënës, periudhat e shtatzënisë, përgatitjen për dhimbjet dhe procesin e lindjes, ushtrimet fizike, kujdesin për të porsalindurin, për gjidhënien dhe kujdesin e foshnjës pas lindjes. Posterë të ndryshëm, objekte demonstruese dhe video të ndryshme ndihmojnë në mësimnxënie praktike, e cila bazohet në lojëra interaktive dhe argëtuese. Pjesëmarrësve iu epet me vete materiali mbi temën e diskutuar dhe iu ofrohen informata kontaktuese të mjekut apo mamisë për këshilla të mëtutjeshme.Ju mund te shikoni nje video rreth Qendrave ketu Për të parë orarin e klasave, klikoni këtu.
Për informata shtesë rreth këtij portali apo Qendrave tona, kontaktoni Aksionin për Nëna dhe Fëmijë. Ju poashtu mund të vizitoni faqen Klasat për Nëna në Facebook. Lexoni më shumë për Aksionin për Nëna dhe Fëmijë në portalin e tyre dhe në faqen e tyre në Facebook.
Ndikimi ynë deri më tani: Më shumë se 2,500 gra janë kontaktuar nga qendrat tona. Stafi klinik në QKUK në Prishtinë janë vlerësuar se mbi 80% të grave janë më të përgaditura në dhomën e lindjeve, duke rezultuar në më pak komplikime dhe një eksperiencë më të mirë gjatë lindjes