Të ushqyerit e drejtë dhe obeziteti i fëmijëve 0 deri në 5 vjeç
Ushqyerja e fëmijëve pasqyron gjendjen e tyre të përgjithshme shëndetësore.
Çdo fëmijë duhet të ushqehet ekskluzivisht me gji për të paktën 6 muajt e parë të jetës. Jepi të drejtë fëmijës tuaj të rritet i shëndetshëm!
Pse duhet foshnja të ushqehet ekskluzivisht me gji 6 muajt e parë të jetës?
• Sistemi i tretjes te foshnja është ende i
“papjekur”,
• Gjendja fizike në këtë moshë nuk mund të
pranoj ushqimin e ri dhe,
• Mundësia e alergjive ndaj ushqimit është në rritje e sipër.
Përparësitë e gjidhënies
• Gjidhënia parandalon obezitetin përmes shtimit normal të peshës trupore,
• Qumështi i gjirit tretet lehtë duke mundësuar jashtëqitje të rregullt,
• Qumështi i gjirit ndikon në zhvillimin e trurit dhe në nivel më të lartë të inteligjencës,
• Qumështi i gjirit ndihmon rritjen e imunitetit të foshnjës për parandalim apo mbrojtje nga sëmundjet kronike dhe alergjitë,
• Gjidhënia plotëson nevojat emocionale të foshnjës, krijon lidhjen mes nënës dhe foshnjës, foshnja qanë më pak dhe përparon më shumë.
• Qumështi i gjirit është ushqim ideal për foshnje, i përshtatshëm tërësisht për nevojat e fëmijës
Rregullat për ushqim ekskluzivisht në gji:
• I posalinduri i shëndoshë duhet menjëhërë të ketë kontakt “lëkurë me lëkurë” me nënën e tij,
• Gjashtë muajt e parë të jetës fëmija ushqehet vetëm me gji pa asnjë ushqim ose lëng shtesë,
• Gjatë kësaj kohe duhet respektuar rregullin: kërkesë -ofrim: sa më shpesh ushqehet foshnja aq më shumë prodhohet qumështi,
• Gjatë gjidhënies të shmanget ushqyerja me biberon,
• Për qetësim të foshnjës mos të përdoren
“mashtrueset”(memet),
• Gjatë periudhës së gjidhënies nëna t’i shmanget çdo aktiviteti që e “largon” nga foshnja e saj.
Si të arrijmë gjidhënie të suksesshme?
Duke respektuar:
• Mënyrën si nëna mban foshnjën
• Mënyrën si foshnja mban gojën në gji
Përdorimi i vitaminave shtesë, fluorit dhe hekurit në 6 muajte parë të jetës
Vitamina K e cila parandalon gjakderdhjen, i injektohet të posalindurit menjëherë pas lindjes.
Të gjitha foshnjeve ju preferohet suplementimi me vitamin D me 400 IU në ditë duke filluar brenda ditëve të para të jetës deri sa fëmija të mbush një vit.
Fëmijët e ushqyer me gji, të lindur me kohë, nuk kanë nevojë për shtesa të hekurit sepse rezervat mjaftojnë deri në moshën një vjeç. Qumështi i gjirit ka shumë më pak hekur në krahasim me qumështin e adaptuar por shfrytëzimi i tij është më i madh.
Suplementimi me fluor nuk preferohet në 6 muajt e parë të jetës, ndërsa në vazhdim veprohet sipas indikacioneve apo vendit ku jetojnë.
Ushqimi i fëmijëve që nuk janë në gji
Nënat të cilat edhe pas informimit, për çështje të ndryshme, kanë vendosë të ushqejnë foshnjën e tyre me formulë, ju duhet ofruar mbështetje individuale dhe informata të sakta për përdorim të drejtë. Kjo vlen edhe për nënat që se kanë të mundur gjidhënien apo kanë ndonjë kundërindikacion për këtë.
Ato duhet informuar se:
• Formulat e thata (qumështi pluhur i adaptuar) nuk është prodhim steril. Mund të kontaminohet gjatë përdorimit.
• Tek formulat e thata rreptësisht duhet respektuar udhëzimet e përgatitjes që janë në paketim
• Qumështi jo i holluar i lopës (apo sisorëve tjerë), qumështi i kondenzuar, përpunuar (pa yndyrë) dhe gjysmë përpunuar (pjesërisht me yndyrë) nuk guxon t’i ipet fëmijëve nën 2 vjeç
Për përgatitjen, ruajtjen dhe ushqyerjen me formula të thata si dhe përdorimin e drejtë të formulave të gatshme në formë tretjeje, rekomandohet si në vijim:
• Kujdes kontaminimi!
• Çdo shujtë të përgatitet e freskët!
• Të bëhet përgatitja me ujë të vluar ( >70°C)
• Uji i vluar duhet ftohur shpejtë (jo më shumë se
30 minuta) dhe të përdoret menjëherë; kujdes që me temperaturë të lartë mos të shkaktoni djegje në gojën e fëmijës!
• Pas çdo shujte të hudhet sasia e mbetur!
Në situata të jashtëzakonshme dhe rrethana të ndryshme kur nëna është e detyruar ta ushqej fëmijën me qumësht lope përgatitja bëhet në këtë mënyrë:
• Në muajin e parë të jetës duhet përzier 40 ml qumësht me 20 ml ujë të vluar,
• Në muajin e dytë të jetës duhet perzier 60 ml qumësht me 30 ml ujë të vluar,
• Në muajin e tretë dhe katërt të jetës duhet përzier 80 ml qumësht me 40 ml ujë të vluar,
• Në muajin e pestë dhe të gjashtë të jetës duhet përzier 100 ml qumësht me 50 ml ujë të vluar.
Kur të fillohet me ushqim shtesë?
Ushqimi shtesë është plotësim i ushqimit me qumësht dhe nuk nënkupton ndërprerjen e gjidhënies apo zëvëndësimin e qumështit me ushqim tjetër. Në vitin e parë të jetës foshnja rritet më shpejtë. Në moshën 4-6 muaj foshnja dyfishon peshën e lindjes ndërsa në moshën një vjeç e trefishon. Kjo tregon se sa ka rëndësi ushqimi i drejtë dhe kualitativ në këtë periudhë. Në moshën 6 muajshe foshnja është e gatshme për ushqim me lugë dhe organizmi ështëi përgatitur dhe i pjekur për ushqim të ri. Disa fëmijëve u duhet kohë më e gjatë që të përshtaten, derisa të tjerët me shumë kënaqësi pranojnë ushqimin e ri. Prindërit duhet të kenë shumë durim, të jenë të qetë,të kenë mirëkuptim sepse kjo është përvojë e re për ta dhe për fëmijën e tyre. Foshnja në fillim mund të refuzoj ushqimin por nuk duhet “heq dorë”. Foshnja është adaptuar në thithje dhe nuk mundet menjëherë të përtypet dhe të përbijë ushqimin i cili shpeshherë i del edhe nga goja. Foshnja mund të luaj me lugën por kjo është mënyra e të mësuarit dhe e njohjes me metodën e re dhe ushqimin e ri.
Të ngrënit me lugë është hapi i parë për pavarësi në ushqyerje
Masat mbrojtëse dhe respektimi i rregullave të caktuara
Mos harro!
• Larjen e duarve para dhe gjatë përgatitjes së ushqimit.
• Enët duhet me qenë nga qelqi, nuk duhet sterilizuar por vetëm duhet pastruar në temperatura të larta dhe duhet tharë mirë.
• Produktet të jenë të freskëta, të kontrolluara dhe kualitative. Pemët dhe perimet duhet të jenë të pjekura, të freskëta, të “shëndosha”, sezonale, mundësisht të pa spërkatura, pa pesticide dhe të rritura në mënyrë natyrale.
• Produktet e reja të shtohen një nga një, në fillim në formë qulli të miksuara dhe jo shumë të dendura, në sasi të vogël (2-3 lugë për shujtë), e pastaj duke rritur sasinë në 125 ml, e më pas në 250 ml. Produktet e ndryshme të përdoren në distancë prej 5-7 ditësh që të shihet a po i përballon fëmija mirë.
• Asnjëherë mos të shtohen dy apo më tepër produkte së bashku për shkak të vlerësimit të intolerancës ndaj tyre (alergjia, ndryshimet në lëkurë, barkqitjet dhe vjelljet)
• Fëmijës nuk duhet dhënë sasi e tepërt e ushqimit në gojë sepse ai duhet mësuar përtypjen.
• Mos përdorni ushqim të ngrirë për fëmijën! Ushqimi i përgatitur në shtëpi mund të përdoret brenda 24-48 orë (nëse ruhet në kushte optimale).
• Ushqimi industrial (nëse është nxehur) fëmija duhet ngrënë menjëherë, në të kundërtën atë duhet hedhur.
• Qullet përgatiten pa shtim të kripës, sheqerit dhe mëlmesave tjera.
• Mos ushqeni fëmijën në pozitë të shtrirë!
• Mos ndërpreni gjidhënien apo qumështin formulë!
• Nëse fëmija manifeston ndryshime alergjike, konsultoni mjekun!
Me cilin ushqim të fillohet?
Fillohet me ushqim me mundësi të vogël për alergji si: lëngje pemësh, qulle nga pemët, perimet dhe drithërat.
Ky ushqim për nga shija është i ngjajshëm me shijen e ëmbël të qumështit dhe foshnja shumë lehtë do të “pranojë” shujtat e tilla.
Në muajin e 7-të shtohet mishi, së pari mishi i bardhë (i pulës apo quranit), pastaj mishi i viqit të ri (i bluar e më pas i copëtuar) si dhe supat ose qullet e perimeve. Pas muajit të 8-të shtohet peshku i bardhë pa hala, i zier apo i përgatitur në avull. E kuqja e vezës e zier mirë duke shtuar sasinë gradualisht. Vaji i ullirit dhe lulediellit.
Pas muajit të 10-të mishi i mështjerrës.
Pas muajit të 11, kriposja e lehtë e ushqimit.
Pas moshës një vjeç mishi i lopës dhe e bardha e vezës.
Për shkak të mundësisë së reaksioneve alergjike në vitin e parë të jetës nuk duhet dhënë pemët si: dredhëza, mjedra, manaferra, pemët citrone (kivi, portokalli, limoni, mandarina), pemët farore (arrat, bademi, kikirikat, lajthitë), çokollada, eurokremi, mjalti, maja buke, e bardha e vezës dhe ushqimi me konzervans.
Llojet e produkteve
Fruta
Frutat janë burim i pasur i vitaminave, kripërave, mineraleve dhe karbohidrateve. Zakonisht fillohet me mollën, dardhën, kumbullën, pjeshkën dhe kajsinë. Në muajin e 8-të ipen të grryera imët, ndërsa në muajin e 11-të ipen në formë të freskët si tërësi.
Perimet
Perimet sjellin kualitet të ri në ushqim si dhe adaptim të fëmijës në “laramani” të ushqimit. Edhe pse vlerat energjike të perimeve janë të vogla ato prap janë të dobishme, sepse krahas proteinave bimore, përmbajnë edhe minerale, vitamina dhe materie të balansuara. Zakonisht fillohet me perime që treten lehtë: karrota, patatja, kungullesha, karfioli. Perimet e përgatitura nuk nxehen rishtazi (nga rreziku i nitriteve) si dhe nuk konsumohen 2 ditë radhazi.
Drithërat dhe prodhimet e tyre
Qullet me drithëra mund të jenë shujta kalimtare. Drithërat dhe prodhimet e tyre përmbajnë karbohidrate komplekse të cilat sigurojnë së paku 50% të energjisë së përgjithshme.
Pas muajit të 7-të mund të ipen disa prodhime të drithërave që përmbajnë gluten (grizi, keksi).
Mishi
Mishi është burim i aminoacideve esenciale, vitaminave dhe mineraleve. Hekuri shfrytëzohet shumë mirë nga mishi. Mishi shtohet në ushqimin e foshnjës pas muajit të 7-të. Fillohet me mish të bardhë (pule apo qurani) sepse tretet lehtë, ka mundësi relative të vogla për alergji, është e arritshme dhe pak e kushtushme. Gjatë përgatitjes pastrohet nga lëkura dhe pjesët yndyrore. Nuk preferohet mishi i thatë, pashtetat dhe salsiqe. Peshku është burim i vlefshëm i proteinave, kalciumit, omega 3- acideve yndyrore, dhe duhet përdorë së paku një herë në javë në menynë ushqimore. Pas muajit të 8-të mund të përdoret peshku i bardhë pa hala i zier apo i përgatitur në avull.
Qumështi dhe prodhimet e tij
OBSH nuk preferon qumështin e lopës para moshës një vjeç. Fëmijët ushqehen me gji apo qumësht formulë konform moshës. Qumështi është burim i pasur i kalciumit, prandaj përdoret rregullisht që të krijohen rezervat për tërë jetën (i nevojshëm për dhëmbë dhe eshtra).
Edhe produktet tjera përmbajnë kalcium por shfrytëzimi më i mirë është nga qumështi dhe prodhimet e ti
Vezët
Pas muajit të 8-të ipet e kuqja e vezës e zier mirë në sasi të vogël duke e shtuar gradualisht.
E bardha e vezës ipet pas moshës një vjeç. Vezët e tundura apo gjysëm të ziera nuk preferohen për shkak të alergjisë dhe infeksioneve të mundshme me salmonelën.
Mëlmesat
Kriposja e lehtë e ushqimit lejohet në muajin e 11-të, por nuk përdoren biberi, speci i kuq, senfi, uthulla. Majdanozi dhe selino mund të ipen në formë çaji ose në supë. Farat e kimit (Qimnon) ipen në muajt e parë të jetës në çaj (i dobishëm për tretje dhe largim të gazrave).
Vajrat
Vaji lulediellit, ullirit dhe misrit shtohet në ushqim në muajin e 8-të, mundet edhe buteri ndërsa margarina nuk preferohet.
Uji
Sipas dëshirës
Çaji
Kohëpaskohe si pije, e freskët, e zier nga kaça, kopri dhe kamomila.
Mjalti
Mjalti mund të përmbajë spore të Clostridium botulinum që shkakton botulizmin. Trakti i tretjes nuk ka aciditet të mjaftueshëm që do shkatërronte sporet, prandaj mjaltin nuk duhet dhënë foshnjës deri sa të mbush një vit.
Kur fëmija adaptohet në shije të ushqimit atëherë mund të bëhen kombinime të ndryshme të qulleve dhe konsistenca e ushqimit të përshtatet sipas mundësisë së përtypjes dhe daljes së dhëmbëve të fëmijës.
Ushqimi dhe alergjitë
Alergjitë në ushqim te fëmijët janë të shpeshta. Deri në moshën 3 vjeç 6-8% të fëmijëve diagnostikohen me alergji në ushqim.
Sistemi digjestiv i foshnjeve dhe fëmijëve të vegjël nuk ka pjekuri të mjaftueshme dhe me marrjen e produkteve të reja shumë vështirë dallon të “huajën” nga e “vetja . Sistemi imun i zorrëve mund të bëjë “gabime” duke inicuar sistemin mbrojtës ndaj ushqimit dhe duke shkaktuar alergji.
Me rritjen e fëmijës dhe me marrjen e vazhdueshme të ushqimit, sistemi imun gradualisht “pjeket” dhe alergjia në ushqim bëhet më e rrallë. Për këtë arsye në vitin e parë të jetës ushqimi ipet me kujdes të veçantë.
Që nga lindja e deri në muajin e katërt dhe pestë ushqimi i vetëm i nevojshëm është qumështi i nënës apo qumështi formulë (nëse nëna nuk ka mundësi ta ushqejë fëmijën e saj me gji). Shtimi i hershëm i ushqimit, para muajit të katërt të jetës, rrit mundësinë për shfaqjen e alergjisë. Kujdes të veçantë duhet të ketë renditja e përdorimit të produkteve të reja.
Ushqimin të cilin fëmija e provon për herë të parë duhet të ipet në orët e mëngjesit që të përcillet reaksioni i fëmijës gjatë ditës. Poashtu ushqimi i ri duhet të ipet çdo ditë, minimum 3 ditë radhazi.
Alergjenet më të shpeshta janë dredhëzat, e kuqja dhe e bardha e vezës, mjalti, arrat, bademat, lajthitë, kikiriki, qumështi, frutat e detit. Për këtë arsye këto produkte shtohen në ushqim ngadalë, në moshë të caktuar për produkte përkatëse.
Ndonjëherë paraqiten probleme respiratore si pengesa në frymëmarrje, rrjedhje hundësh, kollë, teshtitje, e në raste të rënda ngulfatje dhe shok anafilaktik. Ndryshimet në lëkurë paraqiten në minutat e parë deri në gjysëm ore pas marrjes së ushqimit.
Alergjia në ushqim paraqitet në forma të ndryshme, ndryshime në lëkurë si urtika (pllaka të kuqe) apo ekzemë. Alergjitë në disa lloje të ushqimit manifestohen me pengesa në traktin e tretjes si mundim, vjellje, barkqitje, gjakë në feqe si dhe fëmija nuk përparon. Nëse lajmërohet alergjia në ushqim, prindërit duhet fotografuar ndryshimet, të shënojnë se çfarë lloj ushqimi ka ngrënë fëmija atë ditë dhe deri në vizitë te mjeku të evitojnë atë lloj të ushqimit. Shumë alergji të cilat shfaqen në vitin e parë të jetës me kalimin e kohës zhduken apo dobësohen prandaj largimi i ushqimit nga menyja ushqimore nuk bëhet pa konsultimin e mjekut.Terapia nënkupton evitimin e ushqimit që shkakton alergji e sipas nevojës edhe përdorimin e medikamenteve.
Që nga lindja deri në 5 vjeç, punëtorët shëndetësorë kanë obligim matjen e vazhdueshme të peshës dhe gjatësisë trupore si dhe interpretimin e tyre përmes tabelave dhe diagrameve ku përcillet zhvillimi i fëmijës
Zhvillimi i këtij materiali u mundësua nga:
Canada Fund for Local Initiatives
Category: Foshnja dhe nëna