A MUND TË PARANDALOHEN DEFEKTET E LINDJES?

Materijal na ovoj stranici je pozajmljen od March of Dimes (prilagođen za Kosovo)

Shumica e foshnjave të lindura me defekte në lindje kanë lindur nga dy prindër pa probleme shëndetësore apo faktorë të dukshëm të rrezikut. Megjithatë, disa defekte në lindje mund të parandalohen. Këtu janë disa mënyra:

  1. Konsumoni të paktën 400 mcg acid folik çdo ditë për të paktën një muaj para se të mbeteni shtatzënë dhe 600-800 mcg gjatë shtatzënisë. Këtë zakonisht mund ta gjeni në vitamina të paralindjes, por kontrolloni dozën. Ushqimet me përmbajtje të lartë të acidit folik janë disa drithëra të fortifikuara, thjerrëzat dhe fasulet/bizelet e thata, arra, avokado, perimet jeshile (brokoli, spinaqi, barishtet marule ose rrepa, bamjet, lakra e Brukselit dhe shpargu) dhe frutat agrume dhe lëngu 100%. Konsumimi i mjaftueshëm i acidit folik mund ta zvogëlojë deri në 70% rrezikun që fëmija juaj të ketë një defekt të tubit neutral, siç është spina bifida, si dhe ta zvogëlojë deri në 25% rrezikun që fëmija juaj të ketë të çara në gojë.
  2. Vizitoni mjekun kur planifikoni të mbeteni shtatzënë dhe sapo të mendoni se jeni shtatzënë. Është thelbësore që gjatë shtatzënisë të vizitoheni te mjeku rregullisht (të paktën katër herë). Ata do të kryejnë teste të rëndësishme për ju dhe fëmijën tuaj, të cilat do të ndihmojnë në identifikimin e komplikimeve të mundshme, si dhe ata gjithashtu mund t’ju tregojnë se si të kujdeseni më së miri për veten dhe fëmijën tuaj që ende nuk ka lindur gjatë kësaj kohe të rëndësishme.
  3. Shmangni alkoolin gjatë shtatzënisë. Meqë nuk ka një sasi të njohur të alkoolit që është e sigurt për t’u përdorur gjatë shtatzënisë, ekspertët rekomandojnë që të mos konsumoni fare alkool në mënyrë që rreziqet për fëmijën tuaj të jenë minimale. Rreziqet përfshijnë abortin, lindjen e vdekur dhe paaftësi të shumta fizike, të sjelljes, dhe intelektuale. Sa më shumë që konsumoni alkool, aq më të mëdha janë rreziqet. Konsumimi i madh i alkoolit mund ta shkaktojë sindromën alkoolike të fetusit, e cila shpie në probleme të përhershme me rritje të dobët, anomali të fytyrës dhe probleme të të mësuarit dhe sjelljes. Ju ndoshta keni konsumuar alkool para se ta kuptonit që jeni shtatzënë. Nuk ka nevojë që të shqetësoheni pa nevojë pasi rreziqet për fëmijën tuaj me gjasë janë të vogla, por duhet ta shmangni konsumimin e mëtejshëm.
  4. Mos pini duhan dhe shmangni pirjen pasive të duhanit (kur thithni tym nga personi/personat që pinë duhan pranë jush). Ekspozimi ndaj tymit mund të shkaktojë çarje të buzëve/qiellzës dhe rreziqe të tjera siç janë lindja e parakohshme dhe vdekja e foshnjës. Më të mirë është që t’i shmangeni pirjes së duhanit para se të mbeteni shtatzënë, por nëse vetëm se jeni shtatzënë dhe jeni duke pirë duhan, ju ende mund ta mbroni fëmijën tuaj duke hequr dorë nga pirja e duhanit sa më shpejt të jetë e mundur.
  5. Parandaloni infeksionet duke pastruar shpesh duart me sapun, sidomos gjatë përgatitjes së mishit, dhe duke shmangur takimet me njerëzit që janë të sëmurë. Gjithashtu, ju duhet që në mënyrë aktive të shmangni sëmundjet e transmetueshme seksualisht, dhe, nëse jeni ekspozuar atyre, të trajtoheni menjëherë. Infeksionet mund të shkaktojnë një varg të defekteve të lindjes.
  6. Menaxhoni të gjitha gjendjet negative shëndetësore, të tilla si astma, diabeti, tensioni i lartë i gjakut, stresi dhe pesha e madhe. Bisedoni me mjekun tuaj për mënyrën se si t’i menaxhoni këto para dhe gjatë shtatzënisë. Kjo do të zvogëlojë rrezikun që ta keni një fëmijë të lindur me defekt të lindjes ose ndonjë tjetër sëmundje si rezultat i shëndetit të dobët.
  7. Shmangni substancat toksike para dhe gjatë shtatzënisë. Kjo vlen si për burrat edhe për gratë, pasi që kjo mund ta rrisë rrezikun e një vargu të madh të defekteve të lindjes që ndikojnë në shumë aspekte të zhvillimit të foshnjës, duke përfshirë, ndër të tjera, trurin e tij, palcën kurrizore, traktin urinar, zemrën, sistemin nervor.
  8. Shmangni disa barëra, duke përfshirë barërat me recetë dhe ato që jepen pa recetë, si dhe produktet dietike ose barishtore. Konsultohuni me mjekun tuaj para se të mbeteni shtatzënë ose sa më shpejt që të jetë e mundur gjatë shtatzënisë suaj. Ai/ajo mund të jetë në gjendje ta rekomandojë një alternativë që është e përshtatshme gjatë shtatzënisë.
  9. Konsumoni 250 mcg jod çdo ditë gjatë shtatzënisë. Këtë zakonisht mund ta gjeni në vitaminat e paralindjes, por kontrolloni dozën. Ushqimet me shumë jod përfshijnë kripën e jodizuar, ushqimin e detit dhe produktet e qumështit. Por mos konsumoni edhe aq shumë. Konsumimi i tepërt apo i pakët i jodit mund ta rrisë rrezikun e çrregullimeve lidhur me tiroidet si dhe vonesat mendore.

Informacioni i mëposhtëm mbi defektet e veçanta të lindjes janë marrë nga March of Dimes (prilagođen za Kosovo). Për më shumë informacion mbi këto dhe defekte të tjera të lindjes, vizitoni March of Dimes faqen. (Lidhje me http://www.marchofdimes.org/complications/birth-defects-and-health-conditions.aspx)

Category: Vështirësitë