Depresioni pas lindjes
Depresioni postpartal (DPP) është më i zakonshëm nga ç’mund të mendoni. Rreth 1 në 7 nëna të reja përjetojnë DPP. Shpeshherë fillon brenda 1-3 javëve pas lindjes, por kjo mund të ndodhë në çdo kohë brenda vitit të parë. Simptomat ndryshojnë, por mund të përfshijnë:
- Ndjenjat e zemërimit ose nervozizëm.
- Mungesa e interesimit për fëmijën.
- Çrregullimi i oreksit dhe gjumit.
- Të qarit dhe hidhërimi.
- Ndjenjat e fajit, turpit apo mungesës së shpresës.
- Humbja e interesimit, gëzimit apo kënaqësisë në gjërat që i keni shijuar.
- Mendimet e mundshme që dëmtojnë fëmijën ose vetveten.
Mos u shqetësoni, depresioni postpartal është i përkohshëm dhe i shërueshëm. Nëse mendoni se mund të vuani prej saj, ta dini se nuk është faji juaj, dhe ka gjëra që mund të bëni për të ndihmuar të përbaleni me të dhe të shëroheni. Nëse mendoni se keni DPP, vizitoni një mjek ose konsultohuni me qendrën Klasat për Nëna për ndonjë rekomandim tek specialisti.
A ka ndonjë gjë që mund të më bëjë të ndihem më mirë?
Ka tri gjëra që mund të filloni t’i bëni për veten tuaj që menjëherë të ndjeheni më mirë:
- Qëndroni e shëndetshme dhe e përgatitur:
- Bëni diçka aktive çdo ditë. Bëni një shëtitje ose kthehuni në palestër.
- Hani ushqime të shëndetshme. Këto përfshijnë fruta, perime, bukë të zezë me fara/bukë drithi dhe mish pa dhjamë. Mundohuni të hani më pak ëmbëlsira dhe ushqime të kripura (edhe pse kjo është ajo që mund t’ju pëlqejë).
- Pushoni sa më shumë që mundeni. Provoni të flini kur fëmija juaj fle.
- Mos pini alkool; është depresant, që nënkupton se mund të ngadalësojë trupin tuaj dhe të ju bëjë të ndiheni më depresive.
- Mos merrni droga të rrugës. Ato ndikojnë në mënyrën se si trupi juaj funksionon dhe mund të shkaktojnë probleme me medikamentet që i merrni për DPP.
- Kërkoni dhe pranoni ndihmën:
- Mbani kontakt me njerëzit që ju interesojnë dhe që kujdesen për ju. Tregojuni burrit tuaj, familjes dhe miqve se si ndjeheni.
- Kushtoni kohë vetes tuaj. Kërkoni nga dikush që ju i besoni të kujdeset për fëmijën kështu që ju mund të dilni nga shtëpia. Vizitoni ndonjë mik, dilni jashtë ose bëni diçka që ju gëzon. Planifikoni ndonjë moment vetëm me partnerin tuaj.
- Ulni stresin tuaj:
- Bëni gjërat të cilat i pëlqeni para lindjes së fëmijës suaj. Dëgjoni muzikë, lexoni ndonjë libër të mirë apo shkoni në ndonjë kurs.
- Bëni gjërat që ju bënin të ndiheni mirë për veten tuaj para se të ishit shtatzënë.
- Mundohuni të mos bëni ndonjë ndryshim të madh në jetën tuaj menjëherë pasi ta lindni fëmijën tuaj. Këto përfshijnë lëvizjet ose ndërrimin e punëve. Ndryshimet e mëdha mund ta shtojnë stresin në jetën tuaj për të cilin nuk keni nevojë tani.
Nëse këto gjëra ndihmojnë, bukur shumë! Vazhdoni t’i bëni ato sepse në qoftë se ndaloni mund t’ju kthehen prapë simptomat. Nëse këto gjëra nuk i përmirësojnë simptomat tuaja brenda dy javësh, ju duhet patjetër të vizitoni mjekun apo të konsultoheni me qendrën Klasat për Nëna për rekomandim tek specialisti. Mund të keni nevojë për terapi shtesë, duke përfshirë edhe përshkrimet kundër depresionit. Është shumë e rëndësishme që ta merrni seriozisht DPP-në sepse mund t’jua bëjë të vështirë të kujdeseni për fëmijën tuaj dhe do të bëhet edhe më keq nëse nuk trajtohet. Nëse mendoni se po e dëmtoni fëmijën tuaj apo veten tuaj, menjëherë vizitoni mjekun.
Si do ta trajtojë mjeku DPP-në tuaj?
Mjeku së pari do t’ju bëjë disa pyetje për të ditur nëse e keni DPP-në. Mund t’ju bëjnë edhe teste për të parë nëse keni probleme të tjera shëndetësore që mund të çojnë në DPP. Për shembull, ata mund t’ju kontrollojnë hormonet tuaja tiroide sepse nivelet e ulëta të hormoneve tiroide mund të çojnë në DPP. Sa më shpejt që e vizitoni mjekun rreth DPP-së, aq më mirë. Ju mund të filloni me trajtimin që do t’ju bëjë të ndjeheni më mirë kështu që të mund të kujdeseni mirë për veten dhe fëmijën tuaj. Këto janë trajtimet që mjeku juaj mund t’ju sugjerojë:
- Këshillimi, që quhet edhe terapi. Kjo është kur ju bisedoni për ndjenjat dhe shqetësimet tuaja me një profesionist të shëndetit mendor. Ata ju ndihmojnë të kuptoni ndjenjat tuaja, zgjidhni problemet dhe të përbaleni me gjëra në jetën tuaj të përditshme.
- Barnat: DPP shpeshherë trajtohet me barna, duke përfshirë 1) barnat kundër depresionit – disa kanë efekte anësore dhe disa nuk janë të sigurta të përdorni në qoftë se jeni duke ushqyer fëmijën me gji, kështu që bisedoni me mjekun tuaj për të vendosur nëse mund ta përdorni atë bari; 2) estrogjenin – ky hormon luan një rol të rëndësishëm në ciklin tuaj menstrual dhe shtatzëni, por konsultohuni me mjekun tuaj nëse jeni duke ushqyer fëmijën me gji.
.
Category: Vështirësitë