Çfarë është shëndeti para konceptimit?
Të qenit në gjendje të mirë shëndetësore përpara shtatzënisë mund të ndihmojë në përmirësimin e mundësive për të mbetur shtatzënë. Gjithashtu, mund të ndihmojë në parandalimin e komplikacioneve gjatë shtatzënisë. Kujdesi i mirë për shëndetin para konceptimit përfshin një vizitë dhe bisedë me mjekun tuaj për kushtet shëndetësore si përdorimi i acidit folik për të ndihmuar në parandalimin e defekteve të lindjes dhe ndryshime në stilin e jetesës që mund të ndikojnë në shëndetin e foshnjës tuaj kur të mbeteni shtatzënë.

Nëse planifikoni një shtatzëni, atëherë filloni të përqendroheni në shëndetin tuaj të paktën 3 muaj përpara përpjekjes për të mbetur shtatzënë. Nëse keni probleme shëndetësore që mund të ndikojnë në shtatzëni, mund t’ju duhet më shumë kohë për t’u përgatitur.

Çfarë është një vizitë mjekësore para konceptimit?
Vizita mjekësore para konceptimit ndihmon mjekun tuaj të sigurohet që jeni të shëndetshëm dhe se trupi juaj është gati për shtatzëni. Gjatë vizitës, mjeku ndihmon në trajtimin dhe, ndonjëherë, në parandalimin e kushteve shëndetësore që mund të ndikojnë drejtëpërdrejtë në shtatzëni. Për shembull, mjeku kontrollon nëse vaksinat tuaja janë në rregull dhe ju rekomandon ato që duhen marrë para shtatzënisë.

Nëse është e mundur, bëni vizitën mjekësore me mjekun që dëshironi të kujdeset për ju gjatë gjithë shtatzënisë.

Çfarë është historia shëndetësore familjare dhe pse është e rëndësishme përpara shtatzënisë?
Historia shëndetësore familjare përfshin regjistrimin e sëmundjeve dhe trajtimeve shëndetësore që ju, partneri juaj dhe anëtarët e tjerë të familjes tuaj kanë pasur. Është e dobishme të filloni të mbledhni këtë informacion përpara shtatzënisë, që ta ndani me mjekun tuaj gjatë vizitës mjekësore.

Historia juaj familjare mund të ndihmojë mjekun:

  • Të identifikojë sëmundje që janë të zakonshme në familjen tuaj dhe me bazë gjenetike.
  • Të zbulojë shkakun e një problemi që keni pasur në një shtatzëni të mëparshme, duke përdorur teste si analizat e gjakut ose ultratingujt për të gjetur shkakun.
  • Të trajtojë problemet shëndetësore para shtatzënisë. Disa sëmundje kronike mund të shkaktojnë probleme në shtatzëni dhe defekte të lindjes. Trajtimi para shtatzënisë për sëmundje si diabeti, tensioni i lartë i gjakut, lupus etj mund të përmirësojë shanset për një shtatzëni dhe një foshnjë të shëndetshme.

Çfarë është acidi folik?
Acidi folik është një vitaminë B që çdo qelizë e trupit ka nevojë për rritje dhe zhvillim të shëndetshëm. Marrja e tij përpara dhe gjatë shtatzënisë së hershme mund të ndihmojë në mbrojtjen e foshnjës nga defektet e lindjes në tru dhe shtyllën kurrizore. Për të ndihmuar në parandalimin e këtyre defekteve, filloni të merrni një shtesë të vitaminës me 400 mcg acid folik çdo ditë përpara shtatzënisë dhe gjatë 12 javëve të para të shtatzënisë.

Nëse jeni me rrezik të lartë për të pasur një foshnjë me një defekt të tubit nervor, merrni 4,000 mcg acid folik në ditë për të ndihmuar në parandalimin e një defekti të tillë, duke e filluar 3 muaj para shtatzënisë dhe gjatë 12 javëve të para. Flisni me mjekun tuaj për mënyrën më të sigurt të përdorimit të acidit folik.

A ndikon pesha juaj para shtatzënisë në shtatzëninë tuaj?
Po. Keni më shumë gjasa për të pasur probleme shëndetësore gjatë shtatzënisë nëse jeni mbipeshë ose nën peshë. Këto probleme përfshijnë:

  • Lindje të parakohshme: ndodh para 37 javëve të shtatzënisë dhe mund të sjellë probleme të shëndetit për foshnjën.
  • Defekte të lindjes që ndikojnë në shëndetin e përgjithshëm ose zhvillimin e trupit.
  • Diabeti dhe tensioni i lartë i gjakut, që mund të shkaktojnë probleme gjatë shtatzënisë.

Flisni me mjekun tuaj për peshën tuaj të përshtatshme dhe përmasën e duhur të shtimit në peshë gjatë shtatzënisë.

Sa aktivitet fizik ju nevojitet çdo ditë?
Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) rekomandon 2½ orë aktivitet me intensitet të moderuar në javë dhe ushtrime për forcë muskulare 2 ditë në javë. Nëse jeni aktive, vazhdoni; nëse filloni aktivitetin, bëjeni ngadalë. Këshillohuni me mjekun përpara se të filloni aktivitetet fizike, sidomos nëse keni probleme shëndetësore.

Çfarë mund të bëni përpara se të mbeteni shtatzënë?

Ja çfarë mund të bëni:

  • Mos pini duhan, alkool dhe mos përdorni droga të paligjshme. Gjithashtu, qëndroni larg duhanit pasiv, i cili vjen nga dikush tjetër që tymos cigare, puro apo llullë.
  • Merrni medikamente me recetë ashtu siç ju udhëzon mjeku. Kur merrni ndonjë ilaç, mos e merrni në sasi më të madhe nga ajo që mjeku juaj rekomandon, mos e kombinoni me alkool ose droga të tjera dhe mos merrni ilaçet e recetës së dikujt tjetër. Sigurohuni që çdo mjek që ju përshkruan ilaçet të dijë që jeni duke planifikuar një shtatzëni.
  • Mbrohuni nga viruset dhe infeksionet që mund të ndikojnë te shtatzënia. Këto përfshijnë toksoplazmozën dhe limfocitik koromeningitin (i quajtur gjithashtu LCMV). Toksoplazmoza është një infeksion që mund ta merrni nga konsumimi i mishit të pagatuar mirë ose nga kontakti me jashtëqitjet e maceve. LCMV mund ta merrni nga kujdesi për brejtës, si hamsterët, minjtë dhe kaviet. Nëse keni kafshë të tilla ose një mace, kërkojuni dikujt tjetër të kujdeset për to dhe të pastrojë kutinë e jashtëqitjeve për ju. Dhe sigurohuni që çdo mish që konsumoni të jetë i gatuar mirë.
  • Mos përdorni kimikate të dëmshme në shtëpi ose në punë. Pyeteni mjekun tuaj nëse kimikatet që përdorni mund të ndikojnë në shanset për të mbetur shtatzënë. Disa kimikate mund të shkaktojnë defekte të lindjes te foshnja juaj. Nëse punoni me kimikate, bisedoni me punëdhënësin tuaj për ndryshimin e detyrave të punës përpara dhe gjatë shtatzënisë.
  • Reduktoni stresin tuaj. Nivelet e larta të stresit mund të shkaktojnë probleme gjatë shtatzënisë, ndaj gjeni mënyra për ta menaxhuar stresin përpara se të mbeteni shtatzënë. Të jeni aktivë, të ushqeheni shëndetshëm dhe të flini mjaftueshëm mund t’ju ndihmojnë të përballoni stresin. Nëse jeni shumë të stresuar, njoftoni mjekun tuaj. Ai mund t’ju ndihmojë të gjeni një këshilltar që do t’ju ndihmojë të zvogëloni dhe menaxhoni stresin tuaj. Dhe kërkoni ndihmë nëse jeni keqtrajtuar nga partneri juaj, pasi keqtrajtimi shpesh përkeqësohet gjatë periudhës së shtatzënisë.

Burimi; MarchofDimes

Category: Shtatzënia