Gjatë disa muajve të parë, foshnjat qajnë rreth një orë e gjysmë në ditë për arsye të ndryshme si uria, dhimbja, frika, lodhja apo thjeshtë duan që ta mbani. E qara e vazhdueshme mund të shkaktojë shumë stres dhe lodhje kështu që është e rëndësishme që të gjeni mënyra të qetësoni foshnjën. Nëse i kuptoni shenjat e foshnjës, kjo do t’ju ndihmojë që të reagoni dhe në shumë raste të parandaloni të qarat që të mos fillojë fare.

Nëse foshnja qanë, provoni të:

  • Kontrolloni nëse foshnja është e uritur.
  • Kontrolloni që të siguroheni që nuk i është ndotur pelena. Nëse kjo ka ndodhur, ndërroni atë.
  • Vini re shenjat e sëmundjes dhe dhimbjes. Kontrolloni nëse ajo ka temperaturë më të lartë se 38áµ’C, nëse i është ënjtur mishi i dhëmbëve apo ka infeksion të veshit.
  • Lëkundni foshnjën apo ecni me të.
  • Këndoni apo flisni me foshnjën.
  • Ofroni një biberon apo një lodër.
  • Bëni një xhiro me karrocë.
  • Bëni një xhiro me makinë. Sigurohuni që ta lidhni mirë në ulësen e makinës.
  • Mbështjellni foshnjën me një batanije.
  • Lëshoni muzikë të lehtë apo lëshoni diçka në televizor. Sigurohuni që zëri të mos jetë i lartë.
  • Ndizni fshesën me rrymë, ndizni makinën e tharrjes së rrobave apo lëshoni ujin në rubinet apo vaskë. Disa foshnje i pëlqejnë këta tinguj.
  • Mbani foshnjën afër trupit tuaj. Merrni frymë qetë dhe ngadalë.
  • Nëse asgjë tjetër nuk funksionon, vendosni foshnjën në krevatin e saj, mbylleni derën dhe kontrollojeni pas 10 minutash.

Poashtu ekziston një teknikë e njohur botërisht që prindërit e kanë përdorur për të qetësuar foshnjën dhe ta vënë në gjumë për disa minuta. Kjo metodë aktivizon reflekset e foshnjës duke bërë pesë hapa të thjeshtë që imitojnë mitrën e nënës së tyre: Pesë S-të janë: 1) mbështjellja me batanije, 2) pozicionimi në krah apo bark, 3) shush, 4) lëkundja (swing), 5) thithja (suck). Shikoni këtë video për të mësuar këtë teknikë në disa minuta. Poashtu mund të mësoni më shumë rreth kësaj teknike në portalin Happiest Baby.

Është e rëndësishme që ju t’i përgjigjeni foshnjës shpejtë që ta siguroni që ajo nuk është vetëm. Mos u brengosni, nuk e llastoni duke e mbajtur shumë në dorë. Studimet kanë treguar se foshnjat që janë mbajtur shpesh kanë qarë shumë më pak. Ato poashtu rriten dhe bëhen më të pavarura, sipas një hulumtimi nga Johns Hopkins University, një nga institucionet më të mira botërore të shëndetësisë.

Nëse foshnja juaj qan më gjatë sesa zakonisht dhe asgjë që ju bëni nuk e qetëson, kontaktoni mjekun e foshnjës për të kontrolluar nëse mund të ketë ndonjë arsye mjekësore apo nëse është e sëmurë. Ajo mund të ketë dhimbje të barkut (ngërçe) që shkaktojnë të qara të mëdha për më shumë se 3 orë në ditë. Kjo ndodh në 1 nga 10 foshnje. Kjo fillon kur foshnja është 2-3 javëshe, arrin kulmin pas 6 javësh dhe vazhdon deri sa foshnja të jetë 3-4 muajshe. Ndodh në të njëjtën kohë gjatë ditës, zakonisht pasdite vonë apo në mbrëmje. Rreth 20% e foshnjave thuhet se kanë dhimbje të barkut. Ka shumë teori se përse disa foshnja kanë këto dhimbje, për është shumë e mundur që foshnja është e ndjeshme ndaj lodhjes apo stimulimit të tepërt, dhe jo për shkak të gazrave. Nëse foshnja juaj duket se ka dhimbje të barkut, praktikoni Pesë S-të të shpjeguara si në video.

Kurrë mos e tundni foshnjën tuaj. Nëse filloni të nervozoheni, leni foshnjën diku të sigurtë dhe largohuni. Poashtu mund të thirrni ndonjë familjar apo mik për t’ju ndihmuar. Nuk duhen më shumë se disa sekonda tundje që të shkaktoni dëmtime afatgjata në trurin e foshnjës, që rezulton në Sindromin e Foshnjës së Tundur (SFT). SFT është shkaku kryesor i vdekjeve nga abuzimi i fëmijëve në Shtetet e Bashkuara. Mosha mesatare e viktimave është ndërmjet 3 dhe 8-muajshe. Në shumicën e rasteve, personi që dëmton foshnjën është mashkull në të njëzetat. Ai shpesh është babai i foshnjës apo i dashuri i nënës. Rreth gjysma e foshnjave që kanë SFT, vdesin.

Category: Foshnja dhe nëna