Kur një grua shtatzënë mëson se do të lindë fëmijë binjak, ajo në të njëjtën kohë mund të përjetoj emocione të ndryshme, mund të ndjehet shumë e gëzuar por edhe të shqetësohet. Papritur mund të ndryshojnë shumë nga planet dhe vendimet e saj të mëparshme. Megjithatë, lajmi i mirë është se vendimi rreth ushqyerjes me qumësht gjiri nuk ka nevojë të ndryshojë. Qumështi i gjirit është veçanërisht i rëndësishëm për fëmijët binjak, të cilët shpesh mund të kenë peshë të vogël të lindjes dhe kanë nevojë për të gjitha përfitimet shëndetësore të qumështit njerëzor. Gjidhënia e ndihmon nënën të krijoj lidhje të veçantë dhe të nevojshme me të dy foshnjat e saj. Shumë nëna kanë ushqyer binjakët e tyre me sukses.

Gjatë kohës së shtatzënisë

Action for Mothers and Children implementon programet e saj “Klasat për nëna” dhe “Group Care” në Qendrat e Mjekësisë Familjare nëpër komunat e Kosovës. Nëse jeni shtatzënë, ju mund të merrni pjesë në takimet e Kujdesit në Grup për gratë shtatzëna apo të kërkoni mbështetje individuale nga infermierët e QMF-së në programin e Klasave për Nëna. Në grupet e kujdesit për gratë shtatzëna ju mësoni për gjidhënien në periudhën kur ende jeni shtatzënë, dhe gjatë këtyre mësimeve mund të informoheni e të vendosni për mënyrën e të ushqyerjes së foshnjës suaj pas lindjes. Ju mund të takoni edhe gra të tjera të cilat janë të interesuara për gjidhënien dhe të shkëmbeni përvojat e juaja të mëparshme apo edhe dilemat rreth temave që ju preokupojnë. Periudha e shtatzënisë është kohë ideale për t’u njoftuar dhe përgatitur rreth programeve mbështetëse për nëna siç janë Vizitat Shtëpiake. Programi i Vizitave Shtëpiake udhëhiqet nga Ministria e Shëndetësisë. Interesohuni se si mund të përfitoni nga shërbimi i Vizitave Shtëpiake. Gjatë nëntë muajve të pritjes së ëmbël mund të lexoni gjithashtu edhe librat “The Womanly Art of Breastfeeding” nga La Leche League International dhe “Mothering Multiples” nga Karen Gromada.

Krijimi i një plani të lindjes me gjinekologun tuaj apo ofruesin e kujdesit shëndetësor është hapi i fundit i cili çdo grua shtatzënë do ta ndihmonte të mbyllte periudhën e shtatzënisë me siguri, vetëbesim dhe e përgatitur për një etapë të re në jetën e saj.    

Ditët e para pas lindjes


Është shumë e rëndësishme që nëna të ketë kontakt me fëmijët e saj binjak brenda orës së parë pas lindjes. Nëse arrihet të realizohet kontakti lëkurë më lëkurë në orën e parë pas lindjes, e cila ndryshme quhet edhe ora e artë, gjasat që fëmijët të ushqehen me qumësht gjiri janë shumë më të mëdha. Mirëpo, ndonjëherë edhe vetëm një kontakt i vogël i fëmijëve me nënën në orën e parë, si prekja e dorës apo shikimi i fëmijëve ndikon që të ulet stresi i nënës dhe të fillojë prodhimi dhe rrjedhja e qumështit. Prandaj komunikojani gjinekologut, neonatologut, mamisë dhe infermiereve kërkesën tuaj që fëmijët t’i shihni e t’i prekni, t’i mbani në duar në orën e parë pas lindjes.

Ushqyerja e fëmijëve në orën e parë pas lindjes, ushqyerja shumë e shpeshtë dhe pa orare është mënyra më e mirë për të filluar mbarë gjidhënien. Megjithatë, nëse ju ose foshnjat tuaja përballeni me ndonjë problem shëndetësor pas lindjes, ose nuk mund të qëndroni se bashku gjatë ditëve të para pas lindjes, nuk do të thotë që duhet të hiqni dorë nga ideja e ushqyerjes me qumësht gjiri.

Kontakti lëkurë më lëkurë është hapi më i rëndësishëm i cili mundëson realizimin e suksesshëm të gjidhënies. Edhe nëse e keni humbur mundësinë që të realizoni kontaktin lëkurë më lëkurë menjëherë pas lindjes së fëmijëve, realizojeni atë gjatë ditës së parë, ditës së dytë apo edhe gjatë javës së parë dhe javës së dytë të lindjes. Sa më i shpeshtë kontakti lëkurë më lëkurë më fëmijën – fëmijët tuaj, aq më të mëdha do të jenë gjasat që fëmijët binjak të fillojnë të pinë nga gjiri dhe të ndërtojnë sasinë e prodhimit të qumështit.

Sasia e qumështit rregullohet nga sasia e thithjes (ose pompimit) që stimulon gjinjtë. Kjo është arsyeja pse nënat e binjakëve pothuajse gjithmonë prodhojnë qumësht të mjaftueshëm për të dy foshnjat.

Nëse është e nevojshme të pomponi qumështin tuaj sepse një ose të dy foshnjat kanë problem të puthiten në gji, kulloshtra mund të mblidhet më së miri duke përdorur metodën e mjeljes së gjiut me dorë. Por nëse ju duhet që të vazhdoni të pomponi qumësht, mund të përdorni një pompë gjiri e cila ju përshtatet më se miri dhe e cila do të ju ndihmoje të stimuloni prodhimin e rregullt të qumështit.

Referimi i lindjeve të fëmijëve binjak si “bekim i dyfishtë” shpesh mund t’i bej nënat të kenë emocione të përziera. Këto ndjenja janë një reagim normal ndaj një situate shumë stresuese dhe nuk duhet të injorohen ose të nënvlerësohen. Shpesh për t’i validuar këto ndjenja, për t’i tejkaluar dyshimet ndihmon të flisni me një nënë tjetër të binjakëve dhe të gjeni veten në problematikat e njëjta, e pastaj të mendoni për zgjidhje të tyre.

Ligji i prodhimit të qumështit të mjaftueshëm për dy fëmijë

Sa më shumë qumësht që thithin bebet tuaja, aq më shumë qumësht do të prodhojnë gjëndrat prodhuese të qumështit në gji. Ky proces është veçanërisht i rëndësishëm në javët e para pas lindjes. Meqenëse gjatë periudhës së shtatzënisë me binjak, në gjinjtë e grave zhvillohen më shumë gjëndra qumështore, nënat e binjakëve mund të prodhojnë mjaftueshëm qumësht për dy ose edhe për tre bebe.

A po pijnë qumësht të mjaftueshëm foshnjat?

Inkurajoni secilën bebe të ushqehet të paktën 8-12 herë në 24 orë. Nëse një nga bebet tuaja është shumë i-e përgjumur për t’u zgjuar çdo disa orë, në tri – katër javët e para të lindjes duhet ta zgjoni për ta ushqyer dhe për t’u siguruar që foshnja të pijë mjaftueshëm.

Në fillim të mëmësisë, nënat mund të ndjehen se nuk bëjnë asgjë tjetër përveç ushqyerjes së foshnjave. Por, gjërat gradualisht stabilizohen. Bebet fillojnë të rriten dhe prodhimi i qumështit të përshtatet me nevojat e foshnjave. Ndihma praktike nga partneri dhe anëtarët e tjerë të familjes, p.sh. me gjithçka tjetër rreth nevojave elementare të nënës, do t’ju lejojë të uleni, të rehatoheni dhe  të përqendroheni në punën më të rëndësishme të momentit, të ndërtimit të sasisë së mjaftueshme të prodhimit të qumështit të gjirit. Keni parasysh që shenjat e vetme reale rreth sasisë së mjaftueshme të ushqimit të foshnjave më qumësht gjiri janë: shtimi i peshës sipas parametrave dhe urinimi i bollshëm. 

Koordinimi i ushqyerjes së fëmijëve binjak

Pasi që të iniciohet gjidhënia, nënat mund të kuptojnë se ushqyerja e dy foshnjave njëkohësisht është më e lehtë dhe kursen kohë. Por mos harroni që çdo bebe është e ndryshme, ka personalitet dhe shprehi të ndryshme të thithjes,  kështu që njëra foshnje mund të ketë nevojë për më shumë racione të ushqyerjes se tjetra.

Në javët e para pas lindjes, është ide e mirë të ndërroni foshnjat nga njëri gji në gjirin tjetër në intervaleve të ndryshme të gjidhënies. Për shembull, Foshnja A të merr gjiun e majtë dhe Foshnja B të merr gjirin e djathtë. Në ushqyerjen e radhës, Foshnja B merr gjiun e majtë dhe Foshnja A merr gjinjin e djathtë. Kjo metodë është vetëm një propozim praktik, por nëna e vlerëson më mirë situatën dhe krijon një plan të ushqyerjes sipas nevojave të foshnjave.

Si të mbështesni një nënë me binjak?

Nënat e binjakëve kanë nevojë për ndihmë shtesë. Shumë nëna tregojnë se sfidat e tyre më të mëdha janë të ushqehen mjaftueshëm dhe të gjejnë pak kohë për pushim. Ritmi i ditës së fëmijëve binjak është shumë intenziv dhe nevojat e tyre për ushqim janë të shpeshta. Nënat e binjakëve gjithashtu kanë sfida unike në mbajtjen, transportimin dhe daljen jashtë shtëpisë me më shumë se një foshnje. Ato mund të ndihen të izoluara, të pakënaqura ose nervoze. Ndihma dhe mbështetja e partnerëve, familjarëve dhe miqve mund të bëjë dallimin mes një nënë që ndjehet mirë dhe asaj që ndjehet se “po rrëzohet”. Shumë herë njerëzit duan të ndihmojnë, por nuk e dinë mënyrën e duhet të të ofruarit ndihmë. Ndiqni një listë të shkurtër të këshillave për këdo që dëshiron të ndihmojë një nënë të binjakëve.

Çfarë mund të bëni?

  • Sjellni ushqim kur e vizitoni.
  • Ndërroni pelenat e foshnjave.
  • Bëni nënës një masazh të shpines ose këmbëve derisa ajo është duke i ushqyer foshnjat.
  • Sjellni ujë ose lëngje natyrale të frutave.
  • Kujdesuni për foshnjat derisa ajo fle.
  • Dëgjoni me vëmendje ndjenjat e saj, nëse ajo ndjehet e frikësuar, e lodhur ose e mbingarkuar.
  • Përkraheni nëse ajo vetëm ka nevojë të qajë dhe të çliroj emocionet e ngarkesës.
  • Lani rrobat, palosni ato dhe vendosini në komodinë.
  • Bëni pazar për të.
  • Përgatitni drekën ose darkën dhe shërbejani asaj.
  • Thuani që e doni.
  • Ndihmojeni të gjejë një nënë tjetër të binjakëve për të biseduar.
  • Pastroni kuzhinën, lani enët, rregulloni dhomën.
  • Thuani se po bën një punë shumë, ama shumë të mirë të mirë me foshnjet e saja.

Disa gjëra të tjera që duhet të keni parasysh:

 • Kur vizitoni një nënë të binjakëve, ndihmoni nënën të ndihet e relaksuar; mos prisni të argëtoheni.

• Ajo ka nevojë për mbështetje dhe inkurajim; mos jepni këshilla kur ajo ankohet ose duket e lodhur.

• Nëna mund të ndihet e ndjeshme; mos ia ulni vetëbesimin duke bërë pyetje negative si “A jeni e sigurt që foshnjat po pinë qumësht mjaftueshëm?” ose “Pse nuk po flenë ende gjatë natës?”

• Përqendrohuni në “kujdesin ndaj nënës” dhe ndihmën me punët e shtëpisë në vend që të përpiqeni të kujdeseni për foshnjat.

• Një nënë e binjakëve ka nevojë për ndihmë shtesë të paktën gjatë vitit të parë; mos u zhdukni pas tre muajsh.

Çfarë nëse nuk ka asnjë lloj ndihme për rreth?

Nëse nëna e binjakëve jeton larg nga familja dhe miqtë, ose ata janë duke punuar gjatë ditës, punësimi i një ndihmëse për nënën mund të jetë një zgjidhje e mundshme. Edhe nëse kostoja është e lartë, mirëqenia fizike dhe emocionale e nënës janë më të vlefshme. Disa nëna mund të punësojnë studentë të shkollës së mesme për t’ju ndihmuar pas shkollës. Por nëse gjendja financiare është edhe më e ulët, atëherë nënën duhet ta mbështesni emocionalisht dhe të tregoni vlerësim për punën e saj rreth kujdesit të fëmijëve.

Category: Gjidhënia